Ka ndodhur

Kurbin, i dehur në makinë nuk i ndalon postbllokut dhe i drejton pistoletën policisë

Një 31-vjeçar, i cili drejtonte makinën në gjendje të dehur, kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë në Kurbin dhe i kanosi ata më pistoletë imituese.

Por pas disa minutash ndjekjeje është prangosur, ndërkohë që në pranga ka rënë dhe vëllai i tij, pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë.

Në rrugën dytësore Milot-Mamurras, policia konstatoi drejtuesin e makinës që po kryente manovra të rrezikshme dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit. Atij iu bë shenjë për të ndaluar, por u largua me shpejtësi, duke rrezikuar sipas policisë, jetën e efektivëve.

Pasi janë venë në ndjekje të tij, policia e ka pikasur sërish në fshatin Malbardhë, Kurbin, drejtuesin e mjetit, i cili ka kundërshtuar shoqërimin, duke iu drejtuar punonjësve të policisë një armë, në dukje zjarri pistoletë dhe me ndihmën e një personi tjetër ka mundur të largohet.

Në ndihmë të Policisë Rrugore kanë shkuar forca e posaçme “Shqiponja”, Forca Operacionale e Lezhës dhe shërbimet e Policisë Kurbin, të cilat kanë arritur të bëjnë identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e drejtuesit të makinës F. L., 31 vjeç, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje, vjedhjes, kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë dhe K. L. (vëllezër), banues në Kurbin.

Gjatë kontrollit me alkoolmatësin (drager) ka rezultuar se F.L. drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Gjithashtu, nga policia, u sekuestrua një pistoletë imituese, me të cilën ai dyshohet se kanosi punonjësit e policisë si dhe 2 automjete. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë