Politike

“Kurti dhe Mustafa arrijnë marrëveshjen brenda të dielës”

Publikisht, si Albin Kurti ashtu dhe Isa Mustafa duken shumë larg gjetjes së një ujdie që do të pasonte formimin e Qeverisë së re në Kosovë, ndërkohë që koha nuk është në krahun e tyre.

Megjithatë, nga Vetëvendosje shprehen të bindur se këtë fundjavë do të ketë një marrëveshje mes dy forcave politike dhe ditën e hënë, më 3 shkurt, kur do të mbahet seanca parlamentare e radhës do të miratohet Qeveria e re.

Deputeti i VV, Mefail Bajqinovci thotë se deri të dielën do të nënshkruhet një marrëveshje.

“Besoj shumë që deri ditën e diel do të nënshkruhet marrëveshja dhe do të formohet Qeveria me LDK. Do të gjejmë modalitetet për këtë”, thotë ai.

Ditën e premte, Lëvizja Vetëvendosje që ka drejtimin e Kuvendit të Kosovës vendosi që ditën e hënë të zhvillohet seanca e radhës parlamentare, një ditë para se Albin Kurtit t’i përfundojë afati kushtetues për formimin e Qeverisë.

Seanca është caktuar pa marrëveshjen me LDK-në, ndërkohë që Isa Mustafa ka deklaruar se do të votojë qeverinë e Albin Kurtit edhe nëse nuk do të ketë një marrëveshje. Megjithatë, kreu i LDK-së ka paralajmëruar se vota do të kushtëzohet.

“Ne jemi shprehur më 26 dhjetor që në qoftë se na ndahen rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ata nuk i vazhdojnë edhe më tutje negociatat dhe bashkëqeverisjen me ne, atëherë ne do ta votojmë një qeveri të tillë, por jo pa kushte. Duhet të dimë se çfarë do të jetë ajo qeveri, çfarë programi do ta ketë, çfarë i ofron Kosovës, sepse nuk kemi mundësi që jashtë përgjegjësisë sonë të votojmë e pastaj të mos dimë se çfarë do të bëjë ajo qeveri”, është shprehur Mustafa.

LDK ka përsëritur vazhdimisht se marrëveshja arrihet vetëm me balancim të pushteteve dhe kjo balancë sigurohet vetëm duke i lënë kreun e Kuvendit kësaj partie. Por, Vetëvendosje thotë se kryetari tashmë është zgjedhur dhe ai është Glauk Konjufca.

Si rrugë të mesme, Isa Mustafa ka propozuar që LDK-së t’i lihet posti i kryeparlamentarit deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, pra mandati 4-vjeçar i kryetarit të Kuvendit të ndahet në dy vitet e para për LDK-në dhe dy vitet e dyta për Vetëvendosjen.

Megjithatë, Vetëvendosje pretendon se LDK po kërkon më shumë nga sa i takon.

“Pa rezerva dhe me punë të palodhshme kam qenë i hapur për marrëveshje, por nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm. Për koalicion afrimi duhet të jetë i dyanshëm”, deklaroi Albin Kurti pas takimit të fundit me Isa Mustafën, ku morën pjesë edhe ambasadorët e vendeve perëndimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë