Politike

Kurti heq pjesërisht taksën ndaj Serbisë. Haradinaj e sulmon: Mashtrues

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur të heqë pjesërisht taksën ndaj mallrave serbe.

Vendimi i kreut të qeverisë nuk është për taksën në tërësi, por vetëm për lëndën e parë.

Kryeministri Kurti në një konferencë për mediat ka deklaruar se ky vendim do të zbatohet nga 15 marsi, duke shtuar se nëse ka një reflektim të dyanshëm, taksa do të hiqet tërësisht nga 1 prilli 2020.

“Nga 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina. Kjo si shenjë për gatishmëri për marrëveshjen ekonomike tregtare me Serbinë.

Ftojmë Serbinë që të zotohet që ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në këtë fushatë miqësore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, do ta heqë tërësisht tarifën për një periudhë 90-ditëshe. BE ta zhvillojë lartë këtë veprimin tonë, duke filluar liberalizimin e vizave.

Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e qeverisë së Kosovës për eliminim e barrierave ekonomike, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin e reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pas në fushën ekonomike e politike. Nëse pala serbe nuk reflekton përsëri, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën përsëri. Reciprociteti i plotë tregtar instalohet pas 15 qershorit”, është shprehur ndër të tjera kryeministri Kurti.

Haradinaj: Kurti, mashtrues

I menjëhershëm ishte reagimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e quajti “mashtrues” kryeministrin Kurti, i cili sipas rij “u dorëzua para Serbisë”. Në një postim në rrjetin facebook, ai shkroi se “ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia”, shkroi ai.

“Asgjë e re nga Albini” shkroi ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar. Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët. E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht”, shkroi zoti Veseli.

Vendimi i kryeministrit Kurti, pasoi një periudhë trysnie për heqjen e tarifave që u vendosën në nëntor të vitit 2018 nga qeveria e ish kryeministrit Haradinaj, për t’ju kundërvënë fushatës serbë kundër shtetësisë së Kosovës.

Shtetet e Bashkuara shtuan trysninë ndaj zotit Kurti që nga themelimi i qeverisë së tij më 6 shkurt për heqjen e tarifave, ndërsa njëkohësisht i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë