Politike

Kurti i shkon Ramës në zyrë-Temat e nxehta që ndajnë dy liderët

Njeriu i projektuar si Kryeministri i ardhshëm i Kosovës është futur i pashoqëruar nga eskorta në godinën e Kryeministrisë në Tiranë për t’u takuar me Edi Ramën. Albin Kurti hyri nga dera anësore e godinës i shoqëruar nga dy bashkëpunëtorë.

Takimi me Ramën është paralajmëruar ditët e fundit, ku Kurti e ka cilësuar si vendimtar për të vënë pikat mbi “i” në lidhje me disa qëndrime të Kryeministrit të Shqipërisë për Kosovën, ndërsa Rama për të diskutuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare.

Karakteri informal i këtij takimi nuk ka hequr nga tryeza e bisedimeve çështje të nxehta që në të shkuarën kanë përplasur në distancë dy udhëheqësit, si tema e ndarjes së Kosovës dhe dialogu Prishtinë-Beograd.

Kurti hyri në takim rreth orës 19:00. Diskutimi me Ramën ka zgjatur për disa orë dhe pak para mesnatës, kreu i Qeverisë ka treguar përmes rrjeteve sociale se atyre u është bashkuar edhe aktori Gerard Depardieu.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157103222716523

Në më shumë se një rast, udhëheqësi i Vetëvendosjes ka qortuar Edi Ramën për mbrojtjen e idesë së Hashim Thaçit për korrigjim kufijsh me Serbinë. Kurti u radhit në krahun e politikanëve kosovarë që me korrigjim nënkuptonin ndarje të Kosovës mbi vijat etnike, ku Mitrovica e Veriut i kalon Serbisë në këmbim të Preshevës që i kalon Kosovës.

Një tjetër temë është “Shengeni Ballkanik”, për të cilin Albin Kurti nuk ndan të njëjtin entuziazm me Kryeministrin Edi Rama. Rama është firmëtar i deklaratës së përbashkët politike me Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev, të firmosur disa ditë më parë në Novi Sad të Serbisë.

Gjatë punimeve të këtij samiti, Rama-Vuçiç-Zaev zotohen që të krijojnë zonën e lirë të qarkullimit të njerëzve, kapitalit dhe të mallrave në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi brenda vitit 2021. Po në këtë samit, Kryeministri i Shqipërisë tha se Serbia zotohet për të mos e bllokuar Kosovën.

“Kjo është e dakordësuar, vullneti është i plotë për ta bërë me të gjitha vendet. Pra, për ta theksuar nuk ka asnjë veto për askënd dhe për asgjë”, u shpreh ai.

Pak ditë më parë, Kryeministri Rama miratoi deklaratat e Albin Kurtit pas fitores në zgjedhje, që tha se në raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës do të përqëndrohet në zbatimin e marrëveshjeve. Rama pranoi tërthorazi se një pjesë e marrëveshjeve nuk kanë funksionuar në nivelin që duhet dhe propozoi që dy qeveritë të krijojnë nga një ministri për marrëdhëniet me njëra-tjerën për këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë