Politike

Kurti: I shkrova Ramës për pandeminë, nuk më ktheu përgjigje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në mes të muajit mars ka kërkuar një takim të përbashkët mes udhëheqësve politikë të Tiranës dhe të Prishtinës për të diskutuar mbi pandeminë e koronavirusit, që sapo kishte prekur të dyja vendet.

Kurti thotë se takimin ja kishte propozuar me shkrim Edi Ramës, duke qenë se mbledhja e përbashkët e dy qeverive tashmë ishte bërë e pamundur.

“Gjatë pandemisë ministritë e Shëndetësisë kanë komunikuar dhe kanë shkëmbyer përvoja dhe materiale. Diku nga mesi i muajit mars i kam shkruar kryeministrit Rama dhe i kam thënë që duke qenë se nuk po mund ta bëjmë dot takimin e dy qeverive, i kam thënë që të mbajmë një takim Rama-Meta-Ruçi dhe unë, Osmani dhe Thaçi për të diskutuar për pandeminë, por nuk mora përgjigje asnjëherë për këtë gjë”, tha Albin Kurti në një intervistë dhënë për Euroneës Albania.

Mbledhja e radhës e përbashkët mes dy qeverive u ra dakord gjatë vizitës zyrtare të Albin Kurtit në Tiranë në datë 11 shkurt, pak ditë pasi ishte betuar si Kryeministër i Kosovës. Në konferencën e përbashkët me Edi Ramën ata caktuan muajin mars si periudhë për zhvillimin e kësaj mbledhjeje, ndërkohë që nuk mungoi shpërfaqja e ndasive në lidhje me Shengenin ballkanik.

Kryeministri i Kosovës tha se kjo temë ishte trajtuar shkurtimisht në këtë takim të parë me Edi Ramësn si Kryeministër dhe për këtë la të hapur diskutimet në të ardhmen, por pa dhënë afate. Kurti nënkuptoi se i ashtuquajturi “Shengeni Ballkanik” është i një rëndësie të vogël për Qeverinë që ai drejton në Prishtinë, që ka një tjetër prioritet.

Por, Edi Rama nuk e sheh të arritshëm krijimin e “makroshengenit shqiptar” pa “minishengenin ballkanik”. Ai përforcoi ndasitë e shfaqura edhe në të shkuarën mes dy kryeministrave sa i takon kësaj teme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë