Ish-kryeministri Albin Kurti ka sulmuar sot në një konferencë për mediat kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar se ka qendrime të ndryshme nga Kosova kur bie fjala për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Gjatë fjalës së tij kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ketë bashkëpunime si shtete nëse do të mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj Serbisë. Ai duket se i referohej komenteve të fundit të presidentit serb i cili paralajmëroi se në Kosovë mund të shpërthejë një luftë e dhunshme si ajo në Nagorno-Karabak.
“Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë jo vetëm luksin, por as të drejtën që të dallojnë sa i përket Beogradit”, u shpreh Kurti.
Kurti theksoi se kryeministri Edi Rama sipas tij nuk guxon të thotë të vërtetën për Presidentin duke theksuar se qëndrimet e tyre ndryshojnë kur bie fjala tek Beogradi.
“Kjo është një pikë e rëndësishme në të cilën ne dallojmë. Fatkeqësisht kryeministri i Shqipërisë nuk guxon ta thotë të vërtetën për Presidentin e Serbisë, se për çfarë arsye nuk di ta them. Ne duhet të bashkohemi për Luftën Çlirimtare, për UÇK, por edhe kundër Serbisë e cila është kundër nesh. Nuk do të mund të bashkohemi si komb, nuk do të mund të bashkëpunojmë si shtete, me qëndrime të ndryshme ndaj Serbisë. Mospajtimet tona i kanë ulur Kryeministrin e Shqipërisë dhe Presidentin e Serbisë”, u shpreh Kurti. “Edhe kryeministrit të Shqipërisë sidomos Kuvendit të Republikës së Shqipërisë i bëj thirrje që siç e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës rezolutën për dënimin e genocidit të Serbisë në Kosovë ta bëjë edhe Kuvendi i Shqipërisë”, tha Kurti.
Kurti bëri po ashtu thirrje për zgjedhje të reja, duke thënë se presidenti i Kosovës duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, por kjo sipas tij nuk mund të bëhet kur ka një qeveri të paligjshme.
“Pas zgjedhjeve të reja mund të kemi president të ri dhe qeveria e vjetër nuk ka as legjitimitetin dhe as kredibilitetin për iniciativa të tilla. Ne besojmë se zgjedhjet duhet të jenë sa më parë, pasi çdo ditë e humbur është ditë e fituar për të korruptuarit. Por kjo nuk varet vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje