Politike

Kush është figura e shahut që po bllokon liberalizimin e vizave për Kosovën?

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm gjerman, Michael Roth Kryeministri Edi Rama foli për një lojë shahu që po luhet në Bruksel, që po pengon liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ku një nga figurat e lojës ka vendosur që atë ushtar aty ta mbajë peng dhe shqiptarët në Kosovë të mos lëvizin lirisht. Jo se është i gjithë Bashkimi Europian me të njëjtin mendim, por se njëri nga figurat e shahut thotë jo; ai ushtari atje në diagonale nuk do të lëvizë. E turpshme por nuk ke se çfarë i bën”, tha Rama.

Kryeministri shmangu emrat, duke e lënë të hapur për hamendësim se kush mund të jetë “figura e shahut politik” të BE-së që po mban ende shtetasit e Kosovës si të vetmit pa të lirinë e lëvizjes në Europë.

Figurat në lojën e shahut janë pjesët me peshë e rol vendimtar dhe për ta mësuar se kush mund të jetë ky emër mjafton që të kthehemi pas në kohë për të rikujtuar se cilat vende kanë bllokuar e shtyrë vendimmarrjen për liberalizimin e vizave për shqiptarët e Kosovë.

Në prill të 2016-ës, BE dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe një muaj më vonë, pra në maj të 2016-ës, Komisioni Europian i propozon Këshillit liberalizimin e vizave.

Në 2017-ën, propozimi u Komisionit u shmang nga agjendat e mbledhjeve të Këshillit, ndërsa në 2018-ën Gjermania mbështeti Francën në kundërshtimin e liberalizimit të vizave, jo për mospërmbushje të kushteve, por si mjet trysnie për përparim në dialogun me Serbinë.

Raportuesja për Kosovën, eurodeputetja Tanja Fajon tha se pengesa kryesore ishin pikërisht dy vendet udhëheqëse të BE-së. Në dhjetor të 2018-ës, ajo dhe eurodeputetë të tjerë të kohës nënshkruan një peticion adresuar të gjitha vendeve anëtare të unionit ku u kërkohej liberalizimi i vizave për Kosovën.

Megjithatë, edhe në 2019 liberalizimi nuk erdhi. Gjermania u duk më neutrale përgjatë këtij viti për këtë vendimmarrje, por ajo që e bllokoi ishte Franca, të cilës këtë herë iu bashkua edhe Holanda. Franca e pranoi se kishte rol udhëheqës në bllokimin e vendimmarrjes.

“Franca, bashkë me disa vende të tjera anëtare besojnë se në këtë fazë jo të gjitha kushtet janë përmbushur. Në fushën e sundimit të ligjit është bërë pak progres, po jo mjaftueshëm për të ndalur korrupsionin. Vazhdimi i reformave është i nevojshëm për të pasur rezultate të qenësishmë për një shtet ligjor dhe luftuar krimin e organizuar”, thuhej në maj të 2019-ës në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme franceze.

Në këtë periudhë, zgjerimi doli në një plan të dytë për shkak të zgjedhjeve për Parlamentin Europian dhe presionit të vazhdueshëm të populistëve në Francë ndaj Macron. Zgjedhjet u mbyllën, por zgjerimi mbeti sërish një temë dytësore në Bruksel, që ishte shndërruar në arenë përplasjesh mes vendeve anëtare për postet kyçe drejtuese të institucioneve.

Këshut iku edhe vjeshta e 2019-ës pa asnjë vendimmarrje për Kosovën. 2020 hyri bashkë me pandeminë dhe më shumë se për liberalizim vizash, në BE po flitej për mbyllje totale kufijsh. Raportuesja e re për Kosovën, Viola von Cramon përmendi me emra dy vendet që bllokuan sërish lëvizjen e lirë për shqiptarët e Kosovës.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është një premtim i pambajtur nga BE, i tejzgjatur dhe që cenon besueshmërinë e BE”, shkruante në rrjetet sociale diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger.

Ky postim i Ischinger tërhoqi komentin e von Cramon.

“Shumë mirë, por mos harroni t’ja përçoni këtë mesazh Emmanuel Macron dhe Mark Rutte. Ata janë përgjegjësit kryesorë që kanë vendosur këmbët te frenat për liberalizimin e vizave të Kosovës”, komentonte ajo në postimin e Ischinger në korrik të vitit të kaluar.

Kjo temë u anashkalua edhe gjatë vjeshtës nga të njëjtët aktorë, që shfrytëzuan më shumë si pretekst gjendjen e pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë