Politike

Kushtetuesja rrëzoi bordin për çmimin e ushqimeve, Tabaku: Fillim i mirë edhe për shkrirjen e Bordit të karburanteve

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtuese për të shfuqizuar Bordin e çmimeve të ushqimeve.

Në një postim në Facebook, Tabaku u shpreh se “Bordi komunist” rriti me 30% çmimet e shportës në kohën e krizës, dhe uroi që ky të jetë një fillim i mirë dhe për karburantet.

“Gjykata Kushtetuese shpëton shqiptarët nga bordet socialiste dhe i jep të drejtë grupit parlamentar të PD! Bordi çmimeve të ushqimeve është antikushtetues!

Një tjetër betejë e fituar nga Grupi Parlamentar i PD që dërgoi ne GJK Bordin e Çmimit të Ushqimeve!

Bordi komunist, që në periudhë krize ka vendosur çmime abuzive në kurriz të xhepave të shqiptarëve duke rritur me të paktën 30% çmimet e shportës dhe duke bërë biznes me krizën e shqiptarëve, tanimë është nul!

Shpresoj shumë që ky të jetë një fillim i mirë dhe për vendimin mbi bordin e karburanteve.

Politika në ndihmë të qytetarëve është pikërisht kjo! Pasi kjo e sotmja është një fitore mbi të gjitha e shqiptarëve që përtej bindjeve politike do të çlirohen nga një bord komunist dhe antikushtetues.

Bordi Socialist tanimë duhet shkrirë! Ndërsa qytetarët presin të merret vendimi mbi Bordin e Karburanteve që penalizon shqiptarët dhe kënaq oligarkët”, shkroi ajo.

Gjithashtu pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe deputeti Gazment Bardhi duke e konsideruar vendimin në përputhje me interesin publik.

“Një tjetër betejë e fituar me qeverinë dhe oligarkët e saj. Goditja e Bordit të Oligarkëve në Gjykatën Kushtetuese ishte hapi i duhur i opozitës. Abuzimi me çmimet i oligarkëve me bekimin e qeverisë së Edi Ramës rëndonte qytetarët shqiptarë. Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese mbron interesin publik. Krenar për çdo kolegë që mbështeti këtë inicativë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë