Politike

Kuvendi mblidhet në seancë plenare për paketën fiskale dhe pr.buxhetin

Kuvendi mblidhet këtë të hënë në një seancë plenare që parashikohet të jetë e gjatë dhe e shoqëruar me debate, pasi në rend të ditës është miratimi i ndryshimeve në ligjet kryesore të taksave, pra paketa e re fiskale dhe miratimi në parim i projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

Si paketa fiskale, ashtu edhe projektbuxheti janë miratuar mes debateve dhe vetëm me votën e socialistëve gjatë shqyrtimeve në komisionet parlamentare.

Opozita akuzon se buxheti dhe paketa fiskale janë klienteliste dhe favorizojnë një grusht njerëzisht pranë qeverisë, ndërsa socialistët mbrohen duke deklaruar se buxheti është më i madhi i miratuar ndonjëherë dhe që garanton si rritjen ekonomike, ashtu edhe mbrojtjen e shtresave në nevojë.

Ndërkohë, vërejtje për paketën fiskale pati edhe një pjesë e biznesit. Dhoma Amerikane e Tregtisë e cilësoi të nxituar, të pakonsultuar dhe që shkel zotimin e vendimmarrësve për të mos ndryshuar shpesh politikat fiskale.

Qeveria thotë se dy objektivat kryesore të saj në projektbuxhetin e vitit 2022 janë konsolidimi i rimëkëmbjes ekonomike dhe i qëndrueshmërisë fiskale të vendit. Ajo parashikon që rritja ekonomike të jetë në nivelin e 4.1 për qind, ndërsa borxhi publik t’i rikthehet tendencës rënëse.

Parashikimi i qeverisë shqiptare për rritjen ekonomike është më optimist se ai i Fondit Monetar Ndërkombëtar, apo dhe Bankës Botërore, sipas të cilave rritja do të jetë poshtë 4 përqindëshit.

Për vitet 2022-2024 rritja ekonomike pritet të nxitet nga konsumi privat si dhe nga investimet. “Konsumi final total për periudhën afatmesme, 2022 – 2024 parashikohet të rritet në terma real me mesatarisht rreth 2.6 përqind në vit, duke kontribuar me mesatarisht 2.4 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB. Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real mbi nivelin 5.5 përqind në vitet 2022-2024, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.2 pikë përqindje në vit”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Gati 200 milionë dollarë do të shkojnë për fondin e rindërtimit nga pasojat e tërmetit, ndërsa afro 27 milionë dollarë pritet të përdoren për blerjen e vaksinave anti covid.

Institucionet financiare ndërkombëtar kanë bërë thirrje që qeveria të bëjë kujdes me deficitin fiskal dhe borxhin e lartë publik.

“Deficiti fiskal parashikohet me 5.4 për qind e PBB, në ulje krahasuar me 2021-in prej 6.8 për qind të PBB. Niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2022 me një vlerë rreth 78.9% të PBB nga rreth 80% që pritet të jetë në fund të vitit 2021”, parashikon Qeveria në projekbuxhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë