Politike

Kuvendi mbyll dyert me dy akte normative që rrisin borxhin

Kuvendi mblidhet këtë të enjte, që sipas kalendarit të seancave të publikuara në faqen zyrtare është e fundit e kësaj legjislature. Në rend të ditës ka 16 pika, që nga pika formale, si procesverbali i seancës së kaluar plenare, deri te miratimi i aktit normativ që rrit me rreth 100 mln dollarë borxhin publik në buxhetin e këtij viti.

Seanca nis me raportimet e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020 dhe vijon me dy raportet e tjera vjetore të Entit Rregullator të Ujit dhe Entit Rregullator të Energjisë.

Më pas është miratimi i aktit normativ të marrëveshjes me Pfizer për furnizimin me vaksina anti-Covid për të vijuar me dy aktet normative që rrisin borxhin publik.

Akti normativ i parë është pezullimi i katër pikave të një neni të ligjit organik për menaxhimin e sistemit buxhetor, të cilat pengonin rritjen e borxhit me rreth 100 milionë dollarë, nga totali i 1 miliard dollarëve.

“Rregullat fiskale aktuale të sanksionuara në pikat 1 deri në 4 të nenit 4/1 imponojnë një ulje graduale të borxhit publik deri në nivelin 45 për qind. Por, në vlerësimet aktuale të situatës makroekonomike dhe fiskale për vitin 2021, si dhe për periudhën 2022-2024, vlerësohet se një stimul i mëtejshëm fiskal nga ana e shpenzimeve buxhetore do të ofronte garanci të mëtejshme për nivele më të larta e të qëndrueshme të rritjes ekonomike në periudhën afatmesme dhe atë afatgjatë”, thuhet në relacion.

Akti i dytë normativ është ndërhyrja në buxhetin e shtetit të këtij viti duke rritur deficitin dhe barrën e borxheve me rreth 100 mln dollarë, pasi nga rishikimi i tij nuk ndryshojnë treguesit financiarë për të ardhurat, që do të thotë se Qeveria nuk pret rritje shtesë të tyre.

Arsyeja kryesore citohet pandemia dhe fushata e vaksinimit, por për këtë qëllim shkojnë rreth një e dhjeta e kësaj shume, ndërsa pjesa tjetër e parave do të shkojnë për investime e financime si blerja e dronëve turq, projekte infrastrukturore të debatueshme, përfshirë këtu edhe një fond prej 900 mln lekësh për Bashkinë e Tiranës për projektin e teatrit të ri kombëtar.

Jozyrtarisht gazetasi.al mëson se mund të zhvillohet edhe një seancë tjetër më datën 9 korrik. Kjo do të jetë një seancë formale, për t’u dhënë mundësinë deputetëve të mazhorancës dhe opozitës parlamentare që nuk do të jenë më në parlamentin e ri që të thonë fjalën e lamtumirës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë