Drejtuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të procesit të vettingut i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë që në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar që të plotësojë me urgjencë dy vakanca të krijuara te këto institucione.
Sipas letrës së dorëzuar nga drejtuesja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera kërkohet zëvendësimi me shpejtësi i një pozicioni Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për vakancën e lënë bosh nga dorëheqja e Pal Shkëmbit dhe pozicioni i dytë ai për Komisioner Publik pas shkarkimit të Harald Saraçit.
Calavera i propozon Kuvendit që për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të shfrytëzojë listën e kandidatëve të miratuar në prill të 2017-ës nga Komisioni ad-Hoc i ngritur nga Kuvendi në atë kohë për ngritjen e organeve të vettingut.
Por, megjithë kërkesën e ONM-së që dy vakancat të plotësohen me shpejtësi, Kuvendi e ka marrë me shumë “qetësi” dhe këtë kërkesë të ndërkombëtarëve e ka njoftuar vetëm në mbledhjen e kësaj të hëne të Komisionit të Ligjeve.
Kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja tha se do të njoftohet kryetari i Kuvendit për ngritjen e një komisioni ad-hoc me 6 deputetët nga shumica dhe 6 të tjerë nga pakica parlamentare. Më pas, komisioni ad-hoc do të përzgjedhë dy emra nga lista e kandidatëve të 2017-ës.
Përveç kësaj, Manja tha se duke qenë se ka kaluar shumë kohë që nga 2017-ta është e nevojshme që emrat e kandidatëve që janë në atë listë të pyeten nëse i qëndrojnë më interesit për t’u bërë pjesë e organeve të vettingut, apo jo.
Kjo do të thotë se koha që Kuvendi aktual të përmbyllë të gjitha këto procedura mund të jetë e pamjaftueshme dhe kërkesa e ONM-së për plotësimin e dy vakancave t’i përcillet Kuvendit tjetër, që nis nga puna më 9 shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje