Kuvendi miratoi këtë të enjte ratifikimin e marrëveshjes së ekstradimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të miratuar më herët në parim mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane që në korrik të vitit të kaluar dhe nënshkruar në dhjetor, po të vitit të kaluar.
Ky traktat synon që të krijojë një kuadër të ri rregullues në lidhje me aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve shqiptarë të kërkuar nga SHBA dhe anastjelltas. Synohet gjithashtu edhe lehtësimi i burokracive dhe procesit dhe garantimin e bashkëpunimit efikas përmes eleminimit të pengesave ligjore të ekstradimit për personat në ndjekje penale.
Aktualisht, marrëdhëniet e bashkëpunimit gjyqësor dhe të ekstradimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës realizohen në bazë të parimit të reciprocitetit, konventave të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht të Konventës për Luftën kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ratifikuar nga ana e Republikës së Shqipërisë dhe një traktati të nënshkruar që në vitin 1933 mes dy vendeve.
Gjithashtu, ndryshe nga sa parashikon traktati në fuqi, në draftin e traktatit, ndër të tjera, është bërë kategorizimi i veprave penale të aplikueshme, mbi bazën e masës së dënimit dhe jo të llojit të tyre, si dhe përfshirja e një numri të konsiderueshëm figurash të reja të veprave penale. Sa më sipër, në kuadër të përmirësimit të klimës në drejtësi, lind domosdoshmëria e krijimit dhe forcimit të një kuadri të ri rregullativ, sa i takon aplikimit të ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese të traktatit të përmirësimit dhe lehtësimit të këtij procesi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje