Këshilli i Mandateve të Kuvendit vendosi sot që Parlamenti të vendosë të enjten nëse do ta dërgojë për shqyrtim çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese apo jo. Vendimi u quajt nga opozita si nevojë për të marrë më shumë kohë. Gazment Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se e ka marrë në mbrojtje politike Olta Xhaçkën dhe deputetët e maxhorancës po presin vendimin që do të marrë Rama për të votuar në seancën e së enjtes.
Për deputetin demokrat Ervin Salianji, Partia Socialiste po tenton të zgjasë në kohë procesin me qëllim që mandati i Xhaçkës të mbarojë automatikisht me ardhjen e zgjedhjeve të reja. “Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do ta çojmë raportin në seancë, pastaj Kuvendi Gjykatës Kushtetuese, erdhën zgjedhjet mbaroi mandati, çfarë efekti ka ligji këtu?”, tha Salianji.
Rreth 14 muaj më parë, gjykata vendosi pushimin e çështjes pasi 1/5 e deputetëve të Kuvendit pjesë e opozitës kërkuan shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit, i cili nuk miratoi raportin e PD-së që pretendon se deputetja Xhaçka ishte në papajtueshmëri të ushtrimit të mandatit të saj për shkak të statusit si investitor strategjik që kishte përfituar familjari i saj. Në 18 janar të një viti me parë Gjykata Kushtetuese e pushoi gjykimin e çështjes, pasi më parë sipas Kushtetueses do të duhet të shprehet Kuvendi.
Pas mbledhjes së Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, Gazment Bardhi u shpreh se deputetët socialistë kanë guxim të marrin një vendim pa sinjalin e kryeministrit Rama.
“Zvarritja nga qershori i 2022 deri në 2023 kur Kushtetuesja mori vendimin ishte një mbrojtje politike që mazhoranca i kishte bërë deputetes Olta Xhaçka. Qëndrimi i mazhorancës hedh në erë parimet e shtetit ligjor. I vetmi autoritet që i imponohet deputetëve është Gjykata Kushtetuese. Rama po e mbron Xhaçkën, arsyet le të dalë t’i thotë vetë Xhaçka. Është i vërmi rast ku asnjë deputet nuk mund të votojë siç ai mendon sepse është gjykata kushtetuese që na dikton për mënyrën si duhet të veprojë në këtë rast.
Ju e patë nuk patën guxim të marrin as vendim. Nuk ka dhënë sinjal ende Rama se çfarë do bëhet dhe nuk morën asnjë vendim. S’kanë marrë ende sinjalin. Ata mendojnë se i vetmi që mund të urdhërojë si të veprojnë është Rama. Në këtë rast duhet të zbatohet vendimi i kushtetueses. Kuvendi i Shqipërisë në 2024 s’duhet të vinte në dyshim vendimet e kushtetueses”, tha Bardhi.
Lidhur me pyetjen se nëse të enjten rrëzohet raporti juaj, çfarë do të bëjë opozita, Bardhi u përgjigj: “Këtu nuk bëhet fjalë për raport të opozitës por për vendim të gjykatës. Ky është puçi më i rëndë institucional i ndodhur. E di ku e ka hallin Rama se i ka dhënë 1000 m2 tokë për të investuar. Rama ka hall se Xhaçka e tërheq me vete në burg. Ti dalë frika të zbatojë kushtetutën dhe vendimet e gjykatës.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje