Futboll

Lacio rrit ofertën, Strakosha drejt rinovimit deri në 2025-ën

Sapo ka “blinduar” një nga xhevahiret e tij me kontratë të re, Luis Alberton, Lacio është gati dy rinovimet e radhës, Tomas Strakoshën dhe Luiz Felipen. “Gazzetta dello Sport” shkruan sërish për zgjatjen e kontratës së portierit kuqezi me klubin e Lacios, deri në 2025-ën.

Igli Tare ka marrë tashmë miratimin e rinovimit nga mesfushori spanjoll, kontratë deri në 2025-ën, me pagë 3.5 milionë euro. Tani puna e drejtorit teknik është përqendruar pikërisht te prapavija, te portieri shqiptar Strakosha dhe mbrojtësi brazilian Luiz Felipe. Që të dy kanë një marrëveshje me klubin, që skadon në 2022-shin, që nuk është afër, por edhe larg jo. Tare kërkon t’i mbajë fort si Strakoshën, ashtu edhe Luiz Felipen, duke parë moshën e tyre të re. Portieri është 25 vjeç, kurse mbrojtësi 23. Këtë sezon kanë pasur një rendiment të jashtëzakonshëm dhe disa klube i kanë vënë në shënjestër.

Tomas Strakosha, portieri kuqezi i Lacios. Gazeta Si, 5 maj 2020

Strakosha sezonet e fundit është ndjekur nga klube të Premier ligës, ndërsa Luiz Felipe javët e fundit është përfolur për një interesim të Barcelonës. Gjithçka mbetet e hapur për momentin. Oferta e Lacios është e njëjtë: zgjatje kontrate deri në 2025-ën, si Luis Alberto. Ajo që ndryshon është ana ekonomike. Strakosha përfiton pak më shumë se 1 milion euro dhe me kontratën e re mund të shkojë në 2 milionë eurove në vit. Lacio e ka rritur ofertën me sa duket, pasi fillimisht i ofroi 1 milionë e gjysmë portierit kuqezi. Luiz Felipe paguhet 800 mijë euro dhe propozimi i Tares është për 1.5 milionë euro në vit.

Bisedimet kanë avancuar, sidomos me Strakoshën, pasi me të kanë nisur më parë. Ka një hipotezë që në kontratën e të dyve të ketë një klauzolë për prishjen e kontratës, siç ka ndodhur me Korrean. Rinovimi i Strakoshës pritet të zyrtarizohet shumë shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë