Bota

Lavrov mohon zërat për grusht shteti në Rusi dhe ‘zhdukjen’ e ministrit Shoigu

Gazeta Si – Ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov, në një intervistë për shtypin serb, ka mohuar hipotezën e një grusht shteti në Rusi. “Nuk dua të komentoj këto absurditete, – vuri në dukje Lavrov, – sepse ato janë lajme absurde të përhapura nga shërbimet speciale të Ukrainës. Siç e thatë tani, ato janë përhapura edhe nga neoliberalët tanë rusë, të cilët janë jashtë vendit”.

Duke iu referuar veçanërisht hipotezave për grushtin e shtetit dhe “zhdukjes” së ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, “është e gjitha një gënjeshtër, – tha ai. – Të gjithë janë gjallë dhe shëndoshë e mirë, të gjithë punojnë, siç shihet në TV apo në rrjetet sociale: e gjithë qeveria po funksionon”.

Më herët, Lavrov ka shtuar për agjencinë e lajmeve ‘Tass” se presidenti rus Vladimir Putin, “asnjëherë nuk ka refuzuar të takohet” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskik, por “një takim për të shkëmbyer pikëpamje tani, do të ishte kundërproduktiv”.

Sipas Lavrov, një takim mes presidentëve do të jetë i nevojshëm vetëm pasi të jetë bërë qartësi “për çështjet kyçe për Rusinë”, përkatësisht “denazifikimin dhe çmilitarizimin e Ukrainës”.

Vetëm kur bisedimet ndërmjet delegacioneve, të cilat do të rifillojnë në Turqi nga sot dhe nesër, të kenë dhënë “rezultate të prekshme”, presidentët do të jenë në gjendje t’i “konsolidojnë ato”, tha kreu i diplomacisë në Moskë.

Për Kremlinin, deri më tani nuk ka “rezultate të rëndësishme” në bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa i konsideron “alarmante” komentet e presidentit amerikan Joe Biden për liderin rus Putin.

Lavrov shpjegoi gjithashtu se Rusia ka “marrëdhëniet më të mira me Kinën në histori dhe ne po zhvillojmë një partneritet të privilegjuar me Indinë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë