Politike

LDK formon shumicën me serbët dhe pa PDK-në; gati largimi i Albin Kurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se e ka siguruar shumicën për të formuar Qeverinë e re në Kosovë, që do të drejtohet nga Avdullah Hoti, ku mungon Partia Demokratike e Kosovës.

LDK njoftoi se brenda ditës së mërkurë do të nënshkruhet marrëveshja e koalicionit të ri, pjesë e të cilit do të jenë LDK, AAK e Ramush Haradinajt, Nisma e Fatmir Limajt, Lista Serbe dhe grupi 6+. Në total, kjo do t’i sigurojë LDK-së shumicën prej 64 votash.

“Po presim që me formalizimin e koalicioneve, i cili do të bëhet besoj brenda ditës, sot dhe nesër të procedojmë me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë së Kosovës”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Pas sigurimit të shumicës së nevojshme LDK thotë se do të njoftojë Presidentin për të mandatuar Avdullah Hotin me detyrën e formimit të Qeverisë së re.

“Akoma nuk e kemi marrë, por besoj se sapo t’i kryejmë çështjet që kanë të bëjnë me koalicionin dhe t’i formalizojmë mbi 61 deputetë do ta informojmë Presidentin dhe ai do ta lëshojë dekretin”, ka deklaruar Gashi.

Pas marrjes së mandatit nga Hashim Thaçi duhet të thirret Parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar Qeverinë e re.

Nga Vetëvendosje përpjekjet për të formuar Qeveri të re, duke shmangur kësisoj zgjedhjet e reja janë antikushtetuese dhe ideator të këtyre shkeljeve akuzojnë Presidentin Thaçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë