Në “San Siro” triumfon Juventusi, që i shkakton humbjen e parë Interit dhe i merr kryesimin e renditjes. Ka përfunduar me rezultatin 1-2 kryendeshja e javës së 7-të në Serinë A, ku skuadra e Mauricio Sarrit ka treguar se është në gjendje të mbrojë titullin kampion. Juventusi, pas këtij suksesi, e parakalon Interin dhe kryeson me 19 pikë, 1 pikë para zikaltërve. Interesant është fakti se të tre golat e ndeshjes u shënuan nga tre sulmues argjentinas, por vendimtar ishte ai i Gonzalo Higuain.
Paulo Dibala realizoi pas 4 minutash lojë, duke e kaluar Juventusin në avantazh, por Interi barazoi me një penallti të ekzekutuar nga Lautaro Martinez. Në pjesën e parë bardhezinjve iu anulua një gol i Kristiano Ronaldos, pasi Dibala, i cili i dha pasimin, ishte në pozicion jashtë loje. Në pjesën e dytë, Vesino, i aktivizuar në vend të Sensit, goditi shtyllën e djathtë të portës së Juventusit. Dhjetë minuta para fundit, argjentinasi Gonzalo Higuain shënoi golin e fitores për Juventusin me një gjuajtje të saktë brenda zonës. Bardhezinjtë në delir pas kësaj fitoreje shumë të rëndësishme.

Një leksion nga kampionët në fuqi, të cilët e tregojnë veten atëherë kur duhet. Në ndeshjet e tjera të javës së shtatë, Roma barazoi në fushën e saj 1-1 me Kaljarin, kurse Lacio humbi një shans për të marrë 3 pikët në fushën e Bolonjës, ku Korrea humbi një penallti në minutat e fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje