Politike

Lëvizja e Metës tek e majta dhe mesazhi i tij për socialistët: Të largojmë Ramën

Pak orë para fillimit të Asamblesë së Partisë Socialiste, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka sfiduar kryeministrin Edi Rama, duke tentuar të hapë një betejë të re me të, brenda së majtës.

Meta i drejtohet anëtarëve të Asamblesë së PS-së jo si President, por si ish-themelues dhe ish-anëtar i Partisë Socialiste duke kujtuar madje kontributin e tij në themelimin e kësaj partie.

 “Po ju drejtohem si një prej ish-themeluesve dhe ish-anëtarëve të parë të Partisë Socialiste, që ndihet krenar për kontributin e dhënë, jo vetëm për modernizimin e kësaj force politike, anëtarësimin e saj në Internacionalen Socialiste, por edhe për arritjet e sukseset saj në vite, veçanërisht për miratimin me Referendum të Kushtetutës në vitin 1998”, thuhet në mesazhin e Metës.

Presidenti kërkon ta ndajë PS-në nga Rama kur lë të kuptojë se lidhja mes tij dhe partisë që ai drejton është vetëm interes.

“Unë hyra në Partinë Socialiste, atëherë kur nuk shkonte asnjë i ri dhe kur Edi Rama hidhte baltë të zezë mbi socialistët dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Është ky individ, të cilin PS e mori nga refugjat dhe e bëri ministër, kryetar bashkie dhe kryeministër, i cili sot ka marrë peng këtë parti dhe po e keqpërdor stemën e PS-së për të bllokuar integrimin e Shqipërisë.

Ju e dini shumë më mirë se unë, se si ky njeri i papërgjegjshëm, përjashtoi nga kjo parti profesorët dhe intelektualët më të spikatur të vendit, për t’i zëvendësuar ata me trafikantë dhe kriminelë, të cilët ju skuqin sot nga turpi”, shkruan ai.

Dhe ja ku vjen edhe sfida e Metës; “Për ta përzënë Ramën nga PS”

 “Ky njeri pa Atdhe, pa nder, pa vlera më akuzon sot se kam takuar skutave subjekte të OFL-së.

I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen.

Përndryshe, nëse nuk e bën këtë gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, jam i detyruar të merrem çdo ditë me të dhe t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e krimit, dëmet ndaj çështjes kombëtare, dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzemë së bashku edhe nga Partia Socialiste”, shkruan ai.

Meta fton Ramën në çdo studio televizive për debat me të.

“Sapo i kam konfirmuar z.Blendi Fevziu gatishmërinë time për të dalë në “Opinion” me Kryeministrin në detyrë, i cili mund të marrë edhe përforcime me vete.

Transparenca e vetmja rrugë!

Dil në përballje ose largohu!”, shkruan Meta në një postim të mëvonshëm


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë