Lajme

Lëvizja “Për Universitetin”: Mos bini pre e bandave partiake

Lëvizja “Për Universitetin” ka reaguar lidhur me mënyrën se si po vijon protesta ditët e fundit. Pavarësisht se kauza është e përbashkët, sot në protestë u vu re një përçarje mes studentëve pasi protestuan në dy destinacione të ndryshme. Një pjesë e studentëve që sot ndodheshin para godinës së Ministrisë kanë qenë kundër zhvendosjes te Kryeministria, pasi dyshonin se atje janë militantët e partisë. Në një postim të tyre lëvizja “Për Universitetin” shprehen se janë të vendosur në kauzën e tyre dhe u bëjnë thirrje studentëve që të bashkohen me ta për të mos rënë pre e përdorimeve partiake.   

“Fakti që të tria bandat partiake sulmojnë Lëvizjen Për Universitetin, njëkohësisht dhe me metodat më të ndyra, nuk është aspak rastësi!
Të gjithë e dinë se kush i ka sjellë studentët në këtë ditë të zezë dhe se kush është përpjekur prej vitesh për të kundërshtuar!
Lëvizja Për Universitetin është e vetmja shpresë! Na e kanë frikën të tria bandat, sepse jemi të drejtë dhe të vendosur!
Nesër e në vazhdim është me rëndësi që të protestojmë, kudo qoftë, derisa të plotësohen të gjitha kërkesat! Ama, për të mos rënë pre e përdorimit prej bandave partiake, mbështetja dhe bashkimi me Lëvizjen Për Universitetin është mënyra më e sigurt! Ne duhet të synojmë të zhdukim gjithë këtë maskarallëk që na ka marrë frymën, jo të ndërrojmë maskarenjtë në karriget e pushtetit!
Nesër e kurdoherë,
Për Universitetin, Për Shoqërinë!”, deklarojnë ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë