Tifozët e Napolit shpresonin te rikthimi i tij, Benfika dhe Atletiko Madrid ishin afër ëndrrës, por në fund Edinson Kavani zgjodhi të luajë në Premier Ligë. Ai ka fluturuar drejt Mançesterit, ku ka kaluar vizitat mjekësore para se të firmosë një kontratë dyvjeçare me Junajtid. Uruguaiani ishte pa kontratë pas largimit nga PSG, me të cilën do të ndeshet më 20 tetor në Ligën e Kampionëve.
Mançesteri bën kështu një dhuratë trajnerit Solskjaer pak ditë para fundit të merkatos. Klubi anglez hasi vështirësi për blerjen e Sanços nga Borusia Dortmund dhe vendosi të investonte te 33-vjeçari, zyrtarizimi i të cilit është çështje orësh. Një lëvizje që vjen pas humbjes turpëruese ndaj Totenhemit.

Lëvizje të rëndësishme edhe në aksin Itali-Gjermani. Federiko Kieza tashmë është një lojtar i Juventusit, që ka paguar 50 milionë euro te Fiorentina. Klubi bardhezi është liruar nga largimi Douglas Kostës për te Bajern Mynih dhe Matia De Shilio te Lioni, të dy në huazim. Bavarezët nuk u bindën të blinin Perisiçin nga Interi, duke i besuar më shumë një njohje të vjetër si Douglas Kosta, pavarësisht dëmtimeve të shumta të anësorit brazilian.
Kieza kalon te Juventusi në huazim dyvjeçar, ku 2 milionë euro paguhen menjëherë për sezonin 2020-21 dhe 8 të tjerë për sezonin 2021-22. Në 2022-shin Juventusi ka të drejtën ta blejë për 40 milionë euro, plus bonuset. Sulmuesi i kombëtares italiane do të përfitojë 5 milionë euro në sezon, një diferencë e madhe në krahasim me 1.8 milionë eurot që merrte te Fiorentina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje