Politike

Lëvizjet e fundit të Berishës për koalicionin, e mbyll me Dulen, por i duhet edhe një i dytë. Rifuten në lojë edhe firmat për kandidatë të pavarur

Ditën që Ilirjan Celibashi i la topin në derë Lulzim Bashës që të plotësojë disa detyrime të Kodit Zgjedhor si kryetar i partisë (me letra) me qëllim që PD-ja të futet në zgjedhje, Sali Berisha mbeti jashtë loje në aspektin juridik.

Në të njëjtën ditë edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi listën e vet të këshilltarëve për Tiranën, duke mbyllur cdo mundësi dalje në koalicion me Berishën sa kohë që Kodi Zgjedhor përcakton se koalicionet zgjedhore paraqesin vetëm një kandidat të përbashkët për kryetar bashkie dhe një listë kandidatësh për këshillin bashkiak.

Meta publikoi listën me emra krejtësisht të vetë, ndërsa mbeten ende pa përfaqësi emrat e Sali Berishës qoftë për këshillat bashkiakë ashtu edhe kandidatët.

Ina Zhupa në një deklarë të vonshme për mediat ditën e enjte tha se Berisha do te regjistrohej si koalicion, nëse nuk do të mund të regjistrohet si sigël në KQZ.     

“Nëse Rama e mban peng atë për interesat e veta ne do i nxjerrim në siglën e një koalicioni opozitar siç është vendosur nga Këshilli”, tha ajo.

Dhe negociatat qëndrojnë pikërisht tek koalicioni sa kohë që ligjerisht as gjykata dhe as KQZ nuk e njeh Berishën si palë.

Ilir Meta u përjashtua nga skema qoftë me listën e publikuar ashtu edhe me deklatatat publike që ka dhënë, se kandidatët për bashkitë janë të primareve dhe jo të Berishës. Ai është shprehur se PL do të garojë në këto zgjedhje për listën e vetë të këshilltarëve ndërsa do të mbështesë kandidatët e dalë nga primaret.   

Është përjashtuar gjithashtu edhe tentativa daljes në koalicion me Agron Dukën e PAA-së. Edhe Duka është shprehur se do të dalë me kandidatët e vet për këshillat bashkiake. E njëjta gjë edhe për PR-në e Fatmir Mediut.

E vetmja parti parlamentare me të cilën Berisha deri tani ka garanci të dalë në koalicion është partia e Vangjel Dules me të cilin Berisha ka edhe një marrëveshje paraprake elektorale.

Burime për Gazeta “Si” thanë se marrëveshja me Dulen është arritur, por koalicioni me të nuk është i mjaftueshëm.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, koalicion është grupimi i dy apo më shumë partive politike për të konkurruar së bashku në zgjedhje.

Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas Kodit, mund të regjistrohen si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Që do të thotë se Berisha ka kohë deri javës tjetër që të arrijë ndonjë zgjidhje se si mund të fusë në garë kandidatët e tij.

Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.

Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të koalicionit.

Ndërkohë, të gjitha të drejtat dhe detyrimet për subjektet zgjedhore përmbushen nga partia udhëheqëse e koalicionit.

Marrëdhëniet midis partive pjesëtare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila do të jetë pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ.

Burime nga pala e PD së Berishës i thanë Gazeta “Si” se po punohet intensivisht për përfshirjen edhe të një partie parlamentare në zgjedhje, por pa sqaruar ende rrugët se si…  Ndërkohë, paralelisht mesohet se kandidatët e Berishës po mbledhin firma si kandidat të pavarur, duke iu rikthyer variantit te fillimit për të cilin Berisha tha fundjaven e kaluar se kishte pak mbështetje. Në bazë të Kodit, kandidatët për organet e njësisë së qeverisjes vendore, të paraqitur nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend ose në organet e njësisë përkatëse të qeverisjes vendore, duhet të mbështeten nga jo më pak se 1 për qind e zgjedhësve të asaj njësie, por, në çdo rast, jo më shumë se 3 000 dhe jo më pak se 50 zgjedhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë