Ish-shefi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i dyshuar si garant i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës dhe që prej më shumë se një viti ndodhet në arrati, i ka dërguar një kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku kërkon të mbyllet hetimi ndaj tij.
Krimet e Rënda do ta shqyrtojnë kërkesën e tij në datën 11 shkurt. Ish-zyrtari i policisë është shpallur në kërkim bazuar në një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë në nëntor 2017. Sipas hetimeve, ish-drejtori i Policisë ka mbajtur në përdorim 3 numra telefoni, në të cilat rezulton se ka komunikuar me Florian Habilajn dhe Gentian Cekën, që është shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Më herët, organi i akuzës, mbylli hetimet për 9 persona të dyshuar si anëtarë të grupit Habilaj, por ndau dy dosjet që po hetoheshin bashkë, atë të ish-zyrtarëve të policisë dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Emrat e zyrtarëve që dyshohen si të përfshirë në dosjen “Habilaj” për trafikun e kanabisit janë ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Cela, Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, në drejtorinë e Qarkut Vlorë si dhe ish-drejtori i Postës së Dhërmiut, Sokol Bode, të cilët më pas u arratisën jashtë vendit.
Sipas prokurorëve të Krimeve të Rënda, tre ish-zyrtarët e Vlorës kanë ndihmuar dhe garantuar paprekshmërinë e grupit kriminal të “Habilajve” në trafikun e drogës drejt Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje