Futboll

Lidsi bën Liverpulin të vuajë, Salah shpëton kampionët me 3 gola

Në “shkretëtirën” e “Anfield Road”, skuadra e trajnerit Jurgen Klop ka mundur me vështirësi Lidsin e Marselo Bielës. Një ndeshje mjaft e luftuar nga fillimi deri në fund, ku vendosi tregolëshi i Mohamed Salah. Për kampionët në fuqi shënoi edhe Van Dijk, ndërsa për Lidsin nuk vlejtën golat e Herrison, Bamford dhe Klish.

Kampionët e Anglisë e kanë nisur me fitore kampionatin, siparin e të cilit e nisi sfida Fulhem-Arsenal, ku “Topçinjtë” fituan 0-3. Më spektakolare ishte ndeshje e Liverpulit me Lidsin, e mbushur me gola. Lidsi, edhe pse vjen nga një kategori më poshtë, e përballoi mirë këtë ndeshje, por u thye në fund nga një penallti e kthyer në gol nga egjiptiani Salah.

Liverpuli feston një nga golat ndaj Lidsit. Gazeta Si, 12 shtator 2020

Ai e shënoi edhe golin e parë me penallti vetëm pas 4 minutash, por Herrison barazoi shpejt. Van Dijk me kokë shënoi golin e dytë për “të kuqtë”, më pas një gabim i tij solli golin e Bamford dhe 2-2. Tri minuta më pas sërish Salah dhe 3-2. Në pjesën e dytë Klish barazoi dhe vetëm 2 minuta para fundit Salah fiksoi rezultatin në 4-3.

Në pjesën e dytë skuadrat administruan më mirë energjitë, mbrojtjet u organizuan më mirë pas një pjese të parë me shumë gabime. Të besuarit e trajnerit Bielsa e vunë jo pak në vështirësi Liverpulin, por dolën duarbosh nga “Anfield Road”. Liverpuli nis kështu mbrojtjen e titullit me një fitore të vuajtur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë