Lidsi kthehet në nivelin elitar të futbollit anglez pas plot 16 vitesh. Një nga ekipet më me emër në Angli e ka fituar “biletën” e Premier League pa zbritur në fushë, pa pasur nevojën e një pike që i duhej për të mos u arritur nga Brentfordi i vendit të tretë. Në Premier ngjiten dy skuadrat e vendeve të para, ndërkohë që nga vendi i tretë e deri tek i gjashti kualifikohen për në fazën e “Play off”-it.
Për festën e Lidsit mjaftoi rezultati i ndeshjes në Hudersfilld, ku Uest Bromuiç i trajnerit Sllaven Biliç humbi 2-1, duke mbetur 5 pikë pas Lidsit. Në tentativën e dytë, “i çmenduri” Marselo Bielsa kurorëzon me sukses aventurën e tij në futbollin anglez. Sezonin e shkuar skuadra e tij zuri vendin e tretë dhe dështoi në “Play off”, ku u eliminua nga Derbi, që drejtohej nga Frenk Lampard në atë kohë.

Këtë herë Lidsi ka kompletuar një sezon mjaft të mirë, duke kryesuar thuajse gjatë gjithë kohës bashkë me Uest Bromuiç, që tani rrezikon shumë. Tifozët e ekipit anglez kanë qenë të papërmbajtshëm dhe i janë drejtuar shtëpisë së trajnerit Marselo Bielsa. Argjentinasi ka dalë dhe ka festuar me ta, duke bërë foto dhe duke folur me ta. Ai është një personazh unik, një “filozof” i topit, që ka kthyer në nivel të lartë një klub prestigjioz si Lidsi, 3 herë kampion i Anglisë dhe finalist i Kupës së Kampionëve në vitin 1975. Për tifozët është një njeri special. Lidsi prej kohësh është në pronësi të Masimo Çelinos, biznesmenit të njohur italian që ka edhe Kaljarin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje