Futboll

Liga e Kampionëve, Real Madrid dhe Çelsi ndeshen për herë të parë

Dy klubet e njohur nuk janë ndeshur kurrë më parë mes tyre në Ligën e Kampionëve, sot në mbrëmje është sfida e parë në kompeticionin më të rëndësishëm europian. Një ndeshje që vjen në një atmosferë, ku ende diskutohet për atë që ndodhi javën e kaluar me Super Ligën. Në Madrid i druhen arbitrimit dhe “hakmarrjes” së UEFA-s. Tuhel nuk ka humbur kurrë ndaj Zidan.

Reali Madrid dhe Çelsi luajnë sot aktin e parë gjysmëfinal në “Valdebebas”, ndeshja e kthimit luhet më 5 maj në “Stamford Bridge”. Ajo që ndodhi javën e kaluar në nivel klubesh sigurisht që peshon në këtë sfidë: madrilenët mendojnë se arbitri holandez Makkelie mund të dëmtojë skuadrën e presidentit Florentino Perez, iniciator i krijimit të Super Ligës.

Gjithsesi, duke lënë teoritë komplotiste mënjanë, pritet një ndeshje e madhe, me dy skuadrat që po kalojnë momente sportive të ndryshme. Reali ka barazuar 3 herë 0-0 në 4 ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Championsit, por nëse ai në “Anfield” shërbeu për të eliminuar Liverpulin, 2 të tjerët në La Liga kanë pasur kosto në garën e fortë të titullit. Reali është i dyti në kampionat, por ka më pak shanse se rivalët e Atletikos dhe Barcelonës. Kjo ndodh edhe për faktin se Zidan po lufton në mënyrë konstante me mungesat e shumta.

Toni Kros kthehet sot për Realin. Gazeta Si, 27 prill 2021

Në ndeshjen e sotme rikthehet Toni Kros, ndërsa të shtunën Eden Hazard, por ndaj Çelsit mungojnë Serxhio Ramos, Mendi, Valverde dhe Lukas Vazkez. Mbrojtës i majtë do të luajë Naço, gjithmonë i dobishëm për skuadrën, kurse me Varane në qendër do të aktivizohet Militao.

Çelsi nuk mund ta fitojë kampionatin dhe ka shënuar vetëm 2 gola në 4 ndeshjet e fundit, por me fitoren ndaj Uest Hemit ka bërë një hap të rëndësishëm për vendin e katërt. Pak më parë ka eliminuar edhe Mançester Sitin e papërmbajtshëm nga “FA Cup”. Pas vuajtjeve me Lampard, me Tuhel në stol blutë kanë humbur vetëm 2 ndeshje. Skuadra është transformuar nga gjermani që synon finalen e dytë të Ligës së Kampionëve pas asaj që humbi në gush me PSG-në.

Tuhel duke folur me lojtarët e tij. Gazeta Si, 27 prill 2021

Për Zidan është gjysmëfinalja e 4-t në 5 pjesëmarrje në këtë kompeticion, ku 3 herë është shpallur fitues. Reali, kur ndjen atmosferën e Championsit, transformeohet, ndaj dhe Çelsi është i paralajmëruar. Zidan nuk e ka mundur asnjëherë Tuhelin, ka 3 barazime dhe 1 humbje. Hazard ndërkohë ka përballë skuadrën që e shenjtëroi dhe më pas e shiti te Reali. Belgu në Madrid shkoi mbi peshë dhe më pas ka vuajtur dëmtimet, duke u shndërruar në një zhgënjim të kushtueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë