Futboll

Liga e Konferencës/ Vllaznia për hakmarrje ndaj boshnjakëve, Partizani komod

Partizani, Laçi dhe Vllaznia luajnë sot ndeshjet e kthimit në Ligën e Konferencës. Të kuqtë janë të vetmit nga skuadrat shqiptare që e kanë fituar ndeshjen e parë (5-2), dhe sot janë në një pozicion komod sa i takon kualifikimit për në turin e dytë.

Skuadra e trajnerit Ilir Daja thjesht duhet të administrojë rezultatin e ndeshjes së parë në Moldavi. Sfintul tregoi probleme të theksuara në mbrojtje një javë më parë në “Elbasan Arena” dhe Partizani mund ta godasë sërish me brazilianiët Lukas Kardozo dhe Stenio Zhunior, ky i fundit në një formë të shkëlqyer sportive. Të kuqtë kanë shanse të mëdha ta kalojnë turin dhe pastaj do të ndeshen me Bazelin.

Vllaznia para ndeshjes se pare me Shiroko Brijeg. Gazeta Si, 15 korrik 2021

Situatë krejt tjetër për Vllazninë dhe Laaçin, që duhet të përmbysin humbjet e ndeshjeve të para. Shkodranët vuajtën një gjykim aspak korrekt në Bosnjë, ku Shiroki Brijeg fitoi 3-1, me dy penallti në favor dhe dy të kuq në dëm të skuadrës kuqeblu. Goli i shënuar në shtesë nga i riu Çoba mban me shpresë Vllazninë, që duhet të fitojë 2-0 në “Loro Boriçi” sot në mbrëmje. Ndeshja nis në orën 21:00.

Trajneri Tomas Bërdariç nuk do të jetë në stol, pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë. Po ashtu, Ardit Krymi nuk luan për të njëjtën arsye. Gjithsesi, stafi teknik ka bërë përgatitjet për ta përmbysur humbjen e ndeshjes së parë. Liridon Latifi pritet të luajë nga minuta e parë, pasi duhet një skuadër më sulmuese.

Pak më të lehtë mund ta ketë Laçi, që u mund 1-0 nga Podgorica një javë më parë në Mal të Zi. Ishte një ndeshje dramatike, sepse Mazrekaj humbi një penallti në minutat e fundit. Sot skuadra e Duros do të tentojë fitoren me të paktën një gol, për ta çuar kualifikimin në shtesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë