Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta, që ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për prokurimet publike. Dekreti i Metës u rrëzua me 15 vota kundër dhe vetëm votën e deputetit Adriatik Alimadhi pro.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e Presidencës thanë se projektligji është problematik në një masë të madhe të neneve të tij, duke deklaruar se ai nuk qartëson konfliktin e interesit, cenon parimin e sigurisë juridike për investitorët dhe nuk përmbush kriteret e transparencës.
“Në disa dispozita të veçanta rezulton se paraqesin mangësi në përcaktimin e qartë të përmbushjes së parimit të transparencës, mjeteve të ankimit administrativ dhe përmes disa rregullimeve që nuk çojnë në synimin për lehtësimin e pjesëmarrësve të operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, që mund të sjellë zvarritje në procedurat e prokurimit dhe risk të lartë të interesave të shtetit”, deklaroi këshilltari juridik i Presidencës, Bledar Dervishaj.
Projektligji është kundërshtuar përmes një analize me 28 faqe që zyra e Presidenti i ka dërguar Kuvendit së bashku me dekretin për kthimin e tij për rishqyrtim. Megjithatë, deputeti socialist, Adnor Shameti tha se në të gjithë arsyetimin e dërguar nga Presidenca, ai nuk gjeti në asnjë pjesë se ku binte ndesh me Kushtetutën ligji i miratuar më 23 dhjetor 2020 nga ana e mazhorancës socialiste.
“Në të gjithë këtë analizë, vetëm mospërputhje me Kushtetutën nuk shikoj në këtë dekret të Presidentit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje