Futboll

Lindin dyshimet e para për rifillimin dhe mbylljen e kampionateve

Fundi i qershorit duhet të shënojë mbylljen e kampionateve në Europë. Ishte ky një ndër vendimet kryesore të UEFA-s në mbledhjen e fundit të saj, ku pati një komunikim online me të gjitha federatat. Për të shpëtuar kampionatet dhe kompeticionet europiane (Champions dhe Europa League) u shty edhe Europiani, që do të luhet verën e vitit 2021.

Por, a do të shpëtojnë vërtet kampionatet? Janë kalkulime që askush nuk mund t’i bëjë me siguri, sepse emergjenca me Koronavirusin nuk mund të parashikohet se sa mund të zgjasë. Gjithçka i mbetet kohës ta vendosë, por duke parë si po shkojnë gjërat, dyshimet për rifillimin e ndeshjeve dhe mbylljen e kampionateve kombëtare jo vetëm që kanë nisur, por janë goxha të forta. Rreziku është i madh. Specialistët nuk duan të nxitohen deh nuk duan të përhapin panik, megjithatë e shohin shumë të vështirë që futbolli të kthehet si më parë.

Roberto Mançini, trajneri i Italisë. Gazeta Si, 21 mars 2020

I pari që e ka shprehur publikisht shqetësimin për rifillimin e kampionateve është trajneri i Italisë, Roberto Mançini, i cili ka thënë: ”Në këtë situatë, më duket e vështirë që kampionati të rinisë dhe të përfundojë. Do të ishte vrasëse për futbollistët të luajnë aq shumë ndeshje brenda një kohe të shkurtër. Atyre u duhet kohë ta marrin veten sportivisht pas kësaj ndërprerje”. Në këtë linjë janë edhe personalitete dhe drejtues të tjerë të njohur të futbollit europian.

Situata nuk është njësoj në çdo vend, por e përbashkëta është se në këtë moment futbolli ka “ngrirë”, duke përjashtuar ndonjë vend si Bjellorusia. Datat e rinisjes së stërvitjes po shtyhen, sepse situata me Koronavirusin është përkeqësuar. Rrjedhimisht, shtyhen edhe rifillimet e kampionateve. Së pari, duhet kuptuar se kur do të përfundojë izolimi, kur skuadrat mund të zbresin në fushë dhe sa kohë do t’u jepet për t’u përgatitur. Ishte menduar fillimi i majit për rinisjen e kampionateve dhe mbylljen brenda dy muajsh të tyre, por vështirë, për të mos thënë e pamundur, që kjo të ndodhë.

Nga një ndeshjes mes Partizanit dhe Kukësit këtë sezon. Gazeta Si, 21 mars 2020

Edhe në Shqipëri futbolli është paralizuar. Asnjë ekip nuk stërvitet, ndërkohë që të infektuarit me Koronavirus po shtohen dhe sipas specialistëve, duhet ende kohë për të arritur pikun. Me shumë gjasa, deri në fund të muajit prill, nuk do të ketë jo vetëm rifillim kampionati, por ndoshta edhe stërvitje. Po të bëjmë një llogari të thjeshtë, i bie që në rastin më të mirë të luhen rreth 15 ndeshje në më pak se dy muaj. Superiorja ka edhe 10 javë kampionat, plus janë çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja e Kupës së Shqipërisë, pa llogaritur ndeshjet shtesë (play-off, play-out). Ky numër ndeshjesh, që normalisht duhet të shtrihet në 3 muaj, duhet të luhet në 2 muaj, gjithmonë duke marrë në konsideratë rinisjen e garës në fillim të majit.

Dyshimet mbeten të forta, sepse ekipeve, në momentin që do të nisin stërvitjen, u duhen të paktën 2 javë kohë që të rifitojnë formën. Ushtrimet shtëpiake nuk kanë vlerë. Duhet dhe ndonjë ndeshje miqësore dhe me këtë logjikë i takon që skuadrat tona t’i rikthehen patjetër fushës në mes të prillit. Në të kundërt, mbyllja e kampionatit do të jetë e pamundur, ose futbollistët do të “vriten” në fushë, duke luajtur çdo 2 ditë. Kuptohet që Federata është e interesuar t’i mbyllë kampionatet në fund të qershorit, por me dhunë nuk mund ta bëjë.

Se çfarë do të ndodhte nëse kampionatet nuk mbyllen, është një tjetër diskutim. Mund të ketë ndoshta një “play-off për të përcaktuar titullin, ndoshta mund të merret bazë renditja aktuale për titullin dhe ekipet që shkojnë në Europë. Por këto janë vetëm hipoteza, ajo që shqetëson në këtë moment është se koha po kufizohet dhe situata nuk është aspak premtuese për futbollin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë