Politike

Lista e PD, Basha përfshin sekretariatin, Flutura Açka dhe Agron Gjekmarkaj emrat e rinj

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përfshirë në listën e kandidatëve për deputet një pjesë të madhe të sekretariatit, dy nënkryetarët, zëdhënsen e partisë dhe në diskutime të fundit janë edhe tre anëtarë të Komisionit “Ruli”.

Ashtu siç edhe dihet tashmë, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi do të drejtojë Qarkun e Elbasanit.

Sekretari tjetër për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata diskutohet në Durrës i renditur i katërti pas Agron Dukës të PAA-së.   

Aldred Rrushaj i Bordit Financiar në PD që drejton edhe fushatën është në emrat e parë të listës së Tiranës.

Ina Zhupa zëdhënësja e PD-së mësohet nga burime të gazeta “Si” se do jetë në një pozicion të sigurt në listën e PD-së, me gjasë në Vlore.

Edhe Sekretari për Çështjet Zgjedhore Ivi Kaso, pritet të ketë një vend në lista (qarku Fier ose Tirane) për të vijuar me dy nënkryetarët Edmond Spaho në Korçë dhe Edi Paloka në Durrës.

Burime për gazeta “Si” thanë se deri më tash mbeten jashtë listave tre sekretarët e tjerë Sahit Dollapi, Ervin Minarolli dhe Arben Kashahu.

Ndërkohë, Basha po planifikon të fusë në lista edhe anëtarë të Komisionit “Ruli”.

Krahas emrit të Mark Markut për Lezhën, Basha po diskuton edhe emrin e Enriketa Papës në Korcë që për ironinë e fatit (nëse vendoset) do të jetë në të njëjtën listë me Ervin Salianjin emrin e të cilit komisioni “Ruli” e përjashtoi nga lista e kandidatëve për deputet.

Bujar Nishani është një tjetër emër që po diskutohet për tu përfshire në një pozicion të sigurt në një nga qarqet në vend, me gjasë në Vlorë.

Ndërkohë në zyrat e selisë blu eshte zyrtarizuar emri i shkrimtares Flutura Açka për në qarkun e Elbasanit dhe i pedagogut dhe publicistit Agron Gjekmarkaj në Lezhë


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë