VAR-i ta jep, VAR-i ta heq. Kjo është fotografia e ndeshjes Liverpul-Volverhempton, 1-0, e vedosur nga moviola në ”Anfield Road”. Në rastin e parë teknologjia konsideroi të rregullt golin e Sadio Mane, edhe pse lojtarët e Volverhemptonit protestuan gjatë për një prekje të topit me dorë nga Lalana. Në fakt, lojtari i Liverpulit e godet topin në mënyrë të rregullt dhe nga pasimi i tij vjen goli i senegalezit.
Në rastin e dytë kemi të bëjmë me një gol të Volverhemptonit, me autor Neton. Në këtë rast VAR-i konstaton një pozicion jashtë loje milimetrik të Xhonit dhe goli i barazimit anulohet. Protesta të ashpra nga lojtarët e “ujqërve” dhe trajneri i tyre, Nuno Espirito Santo, ndëshkohet me karton.
Liverpuli nuk ka qenë në ditën e tij më të mirë në këtë ndeshje, por është mbrojtur mirë në fund, kur kundërshtari u hodh në sulm me të gjitha forcat. Traore rrezikoi disa herë, Moutinjo dhe Sais provuan nga jashtë zonës, por pa rezultat. Në shtesë Van Dijk devijoi një gjuajtje të Traore, i cili kishte kaluar gjysmën e mbrojtjes së Liverpulit. Skuadra e trajnerit Klop fiton 1-0 dhe e mbyll 2019-ën me 82 pikë të fituara. Vetëm një humbje në fushën e Mançester Sitit më 3 janar. Diferenca me vendin e dytë është 13 pikë, dominim absolut dhe titulli i pritur prej 30 vitesh është gjithmonë e më afër.

Mançester Siti, që mban vendin e tretë, me 41 pikë, fitoi 2-0 ndaj Shefilld Junajtid, me gola të Aguerro dhe de Bryjne në pjesën e dytë. Ndeshje me emocione ishte derbi i Londrës, Arsenal-Çelsi, që u fitua nga skuadra e trajnerit Frenk Lampard me përmbysje. Arsenali shënoi në pjesën e parë me Aubamejang, por në 10 minutat e fundit pësoi dy gola. Zhorzhinjo barazoi, duke përfituar nga dalja e gabuar e portierit Leno, ndërsa Abraham i dha fitoren Çelsit, që mban vendin e katërt me 35 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje