Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një moment reflektimi protestën e shpërthyer pas vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha. Gjatë prezantimit të Bledi Çuçit si ministër të ri të Brendshëm, kreu i Qeverisë e vlerësoi protestën si krejtësisht të veçantë në llojin e vet në të gjithë historinë e vendit.
“Sigurisht që ky moment dhe ky takim i sotëm ndodhi si rezultat i një ngjarjeje. Unë dua ta nis me fundin, jo me zanafillën për të shkuar më pas edhe të zanafilla. Kur them fundin kam parasysh shpërthimin e një proteste goxha të veçantë në llojin e vet, e cila duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë”, u shpreh Rama.
Megjithatë, kreu i Qeverisë është i bindur se në këtë protestë pati segmente të caktuara politike që shfrytëzuan minorenët për t’u ngritur kundër Qeverisë. Më herët, ai ka akuzuar Presidentin Ilir Meta, Sali Berishën dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Përtej faktit fatkeq, që përfshirje për herë të parë të historinë si komb e minorenëve , e fëmijëve, për të luftuar brenda vetes, për qëllime të caktuara. Një fat tejet fatkeq, por sidoqoftë domethënëse, jo vetëm për të kuptuar natyrën e agresionit ndaj Policisë së Shtetit, një agresion i frymëzuar, i nxitur, i organizuar, sistematik për vite por edhe përtej saj. Për të kuptuar se çfarë ne, e gjithë qeveria dhe shoqëria duhet të bëjmë që kurrë të mos përsëritet një shfaqje e tillë ekstreme, e denjë kur fëmijët janë mish për top për organizata ekstremiste dhe terroriste që nuk ndalen në përdorimin e mjeteve ekstreme”, vijoi ai.
Rama foli rreth 60 minuta në këtë ceremoni. Ai tha se në 7 vite Policia e Shtetit është shëmbëlltyra më e mirë e përpjekjeve për transformimin dhe zhvillimin e vendit. Rama u kthye pas në kohë tek protestat e opozitës dhe vlerësoi sjellën e uniformave blu si më demokratike edhe ndër vendet demokratike.
Kryeministri tha se Shqipëria mund të jetë i vetmi vend i botës demokratike ku gjatë protestave plagosën më shumë policë se sa protestues.
Sandër Lleshaj renditi sukseset në drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në thuajse dy vite. Ai përmendi krijimin e njësisë së krimit kibernetik, operacionin Forca e Ligjit dhe tërheqjen e ekselentëve, sipas tij, në radhët e uniformave blu. Edhe ish-ministri u ndal tek përballimi i protestave të opozitës, që e vlerësoi një sukses të Policisë përballë asaj që e cilësoi dhunë të drejtuar ndaj përpjekjeve të shqiptarëve për të ndërtuar shtet.
Në fund, në momentin kur do të linte këshillën për pasaardhësin e tij, Bledi Çuçi “zbuloi” atë që përflitej këto ditë; që vetë Çuçi nuk ishte në dijeni të emërimit si ministër i Brendshëm.
“Është bërë një zgjedhje e mirë me pasaardhësin. Do të doja që t’i jepja këtë këshillë dhe ka ardhur pa dëshirën e tij, pra nuk ka pasur ndonjë plan për të ardhur, punët do të shkojnë mirë. Nëse do të ishte një person që do të bënte gjithçka për të ardhur në këtë detyrë, punët do të shkonin shumë keq”, tha ai.
Rama “zyrtarizoi” lajmin se Bledi Çuçi është emëruar pa dijeninë e tij.
“Ka ardhur pa dijeninë e tij dhe nuk ka pas mundësi as ta thotë se sa dëshirë e ka këtë detyrë”, ndërhyu Kryeministri.
Çuçi vetë nuk i kushtoi rëndësi mënyrës së zgjedhjes, por largimit.
“Vëmendjen e spektatorit nuk duhet të marrë mënyra sesi hyn në skenë, por dalja. Përveç shprehejs së angazhimit tim maksimal për të justifikuar besimin e dhënë nga Kryeministri, në përfundim të mandatit do të kisha dëshirë që publiku të deklaronte se i mbaroi mandati ministrit të Brendshëm, jo ministrit të policisë, apo ministrit të rendit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje