Shqipëria i lë më 1 janar stafetën e Presidencës së OSBE-së, Suedisë, ministrja e Jashtme e të cilës, Ann Linde, këtë të mërkurë ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, ku mbajti dhe një konferencë me Kryeministrin Edi Rama.
Në këtë konferencë, Kryeministri Edi Rama përsëriti këmbënguljen e mazhorancës për të kaluar paketën e antishpifjes, por pasi të adresohen rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias.
“Ligji do të kalojë, jo për t’u mbyllur gojën gazetarëve, por për të krijuar një mjedis, ku të gjithë mund të flasin, por ata që bien pre e sulmeve të pabaza të kenë mundësi të mbrohen”, tha Rama.
Kryeministri hodhi poshtë mundësinë që projektligji të dorëzohet sërish në Venecia, pas një këshille të dhënë nga Këshilli i Europës. Rama tha se konsultimet kanë qenë të hapura dhe të mjaftueshme.
“Draft ligji u diskutua për më shumë se një vit në mënyrë të hapur, këtu dhe në OSBE. E nisëm me modelin gjerman, na u tha që nuk është demokratik. vijuam drejt modeleve franceze dhe kroate dhe na u tha që as ato nuk janë demokratike. dhe më pas bëmë një ligj shumë demokratik”, u shpreh ai.
Kreu i Qeverisë tha se mbështetja më e madhe për këtë ligj ka ardhur nga njerëzit e biznesit.
“Mbështetja më e madhe erdhi nga njerëzit e biznesit, sepse ata shantazhohen çdo ditë. Venecia nuk tha që ligji është në kundërshtim me standardet demokratike. dha disa rekomandime dhe ne do t’i adresojmë. në këtë xhungël keqinformimi dhe sulmesh dhe keqedukimit të të rinjve përmes shkeljes së përditshme të etikës së medias, së paku individët në këtë vend duhet të kenë të drejtën që të kenë llogari përpara gjykatës”, vijoi Rama.
Kryeministri këshilloi një gazetar suedez që ngriti një pyetje në lidhje me këtë projektligj, që të shohë filmin “Dilema Sociale”.
Rama tha gjithashtu se kishte diskutuar me kryediplomaten suedeze për sfidat me të cilat Presidenca shqiptare në OSBE po përballet aktualisht, e që me gjasë do t’ja përcjellë Presidencës suedeze pas 1 janarit.
Sfidat janë kriza në Bjellorusi dhe përzgjedhja e drejtuesve të rinj të institucioneve të OSBE-së, mes të cilëve edhe ai për kreun e Lirisë së Medias, ku përflitet se Shqipëria ka propozuar Ditmir Bushatin. Emri i Bushatit nuk është konfirmuar zyrtarisht, por as është mohuar.
Rama tha se me Ann Linde ka folur edhe për bashkëpunimin dypalësh, kryesisht në fushën e turizmit dhe sigurisë.
Nga ana e saj, kryediplomatja suedeze tha se Suedia mbështet mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje