Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë me gazetarët për të shpalosur prioritetet e vendosura nga Qeveria në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Kryeministri Edi Rama tha se kryefjala e buxhetit të ri është rindërtimi dhe përballja me pasojat e pandemisë. Ai foli për rritjen e pagave të mjekëve, infermierëve dhe mësuesve, e rritjen e mbështetjes financiare për familjet në nevojë.
Ai tha se buxheti parashikon edhe vaksinimin e qytetarëve nga Covid. Rama nënkuptoi se vaksinimi do të jetë falas dhe me jo me detyrim.
“Kemi një front jashtëzakonisht sfidues me luftën kundër armikut të padukshëm për të cilën duhet të financojmë masivisht për të garantuar vaksinimin e qytetarëve falas. Për çdo qytetar që do dëshiroj të vaksinohet, ajo do të jetë falas”, u shpreh ai.
Në lidhje me shpërblimet e fundvitit, Rama tha se Qeveria do të nxjerrë së shpejti vendimin për të akorduar 34 mln dollarë për pensionistët, të cilët sipas përllogaritjeve të Kryeministrit do të përfitojnë nga 5 mijë lek të reja.
Rama mohoi se është ndërhyrë përmes një akti normativ të Qeverisë për të lidhur pension me të atin e Klodian Rashës. Ai tha se bëhet fjalë për një VKM.
Gjithashtu, Kryeministri përjashtoi edhe njëherë mundësinë e largimit të Ardi Veliut. Ai tha se kjo nuk ndodh edhe “sikur 500 mijë njerëz ta kërkojnë”.
“Si mund të diskutohet tani nga rruga jo këta, por dhe sikur të ishin 500 mije veta që kërkojnë ikjen e drejtorit të policisë nuk vendoset në rrugë se kush ikën dhe kush vjen, por vendoset në bazë të asaj që është e drejtë. Ishte e drejtë që Qeveria të kërkonte ndjesë jo se ishte e përfshirë në ngjarje, por se 25-vjeçarin e vrau arma e shtetit. Ishte e drejtë që ministri i Brendshëm të largohej, jo se kishte përgjegjësi direkte, apo indirekte, por ishte e drejtë që mesazhi i pjesëmarrjes në dhimbjen e asaj familje mos ishte me fjalë, por që moralisht ministri të thoshte atë që tha. Këto nuk janë bërë si rezultat i protestës”, u shpreh Kryeministri.
Rama i interpretoi protestat jo si zemëratë qytetarë kundër Qeverisë, por si akt i degradimit të Ilir Metës dhe Sali Berishës, ndërsa Lulzim Bashën e “fajësoi” vetëm se nuk ka dënuar dhunën.
“Asgjë nuk ka lidhje me zemërata dhe me teoritë e atyre që bredhin studiove si komentatorë supremë të jetës morale dhe sociale, por është një tjetër akt i degradimit të Ilir Metës dhe Sali Berishës, këto të dy janë pas asaj, dhe ato që kanë predikuar revolucione. Këtë e dinë edhe peshqit e liqenit artificial dhe të gjithë, secili nga ju e di këtë që po them unë tani, e di çdo shqiptar i majtë apo i djathtë, dhe ato që teorizojnë dhunën, dhe ato që thonë punë e madhe se u dogj pema e vitit të ri. Por çështje kjo mënyrë e të folurit. Çfarë edukohet me një qëndrim të tillë edhe fëmija në shtëpi nëse ndjen padrejtësi ti vërë zjarrin shtëpinë”, u shpreh ai.
I shoqëruar nga ministrja e Financave, Anila Denaj dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj kjo dalje e Ramës mbërrin pas vendimit të Presidentit Ilir Meta që ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Presidenti thotë se buxheti nuk adreson sfidat shëndetësore, sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje