Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp për të sqaruar edhe njëherë tjetër letrën që i ka dërguar Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Nxitjen për t’iu drejtuar Komisionerit përmes kësaj letre, Meta deklaron se e mori nga përmbajtja e raportit të progresit të publikuar nga Komisionit Europian në pjesën ku përshkruhej kriza dhe përplasja institucionale mes Presidencës dhe Parlamentit për çështjet e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
“Në formulimin e bërë nga Komisioni Europian, krijohej përshtypja sikur problemi ishte bërë nga interpretimi i Kushtetutës nga ana e Presidentit”, tha Meta, duke këmbëngulur se në të vërtetë interpretim të gabuar të Kushtetutës ka bërë mazhoranca.
Presidenti akuzoi se letra është bërë publike nga mazhoranca dhe media të caktuara e keqinterpretuan atë duke e paraqitur për publikun si një qëndrim të Presidentit kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Duke lexuar sërish pjesë nga letra, Meta thotë se përkundrazi, ai ka qenë dhe mbetet mbështetës i hapjes së negociatave dhe i vetmi qëllim i adresimit të saj për Komisionerin e Zgjerimit ishte ngritja e shqetësimit për mospasqyrimin e drejtë, sipas tij, të fakteve për përballjen për emërimet në Kushtetuese.
Meta deklaron se nuk është përgjegjës për situatën e krijuar dhe rrjedhimisht nuk ka përgjegjësi nëse vendit nuk i hapen negociatat për këtë shkak.
“Kam bërë çdo gjë që Shqipëria një minutë të mos rrinte pa Gjykatë kushtetuese. I dinë përpjekjet e mia dhe kush e minoi ato dhe të mos ndjejnë përgjegjësi për këtë situatë ata që e kanë shkaktuar?! E ka shkaktuar vetë mazhoranca që tani do të kapë Gjykatën Kushtetuese, pa të cilën nuk ka bashkëjetesë paqësore në këtë vend, sepse nuk ka më arbitër. Pse të mos i druhen ata të tjerët nga ana e ndërkombëtarëve që nuk i janë përgjigjur paralajmërimeve të Presidentit. Kush është përgjegjësia e Presidentit këtu?”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje