Gushti, muaj pushimesh zyrtare për administratën shtetërore e gjeti në Presidencë Ilir Metën, ashtu siç në konferencën e shtypit të 30 korrikut paralajmëroi se nuk do të merrte pushime, as të gjata dhe as të largëta. Ai jo vetëm që s’e nisi muajin me pushime, por thirri konferencën e radhës për shtyp.
Në këtë konferencë, Ilir Meta i tha të tjera ngjyra propozimit të tij për zgjidhjen e krizës. Presidenti përsëriti gatishmërinë për t’u dorëhequr dhe për të kandiduar sërish për President nëse mbahen zgjedhje presidenciale më 13 tetor, por me një kusht.
“Jam gati që të dorëhiqem, por me një kusht. Kushti është që në këtë zyrë të vijë një njeri, një ish-President; Rexhep Meidani. Ai ka treguar se është i palëkundur në mbrojtjen e interesave të vendit dhe jam i bindur se Rexhep Mejdanin është njeriu i duhur për të mbrojtur ato 2-3 interesa kombëtare që mbron kjo zyrë, edhe më mirë se unë”, deklaroi Meta.

Presidenti këmbëngul se 13 tetori është e vetmja datë ligjore dhe kushtetuese zgjedhore, ndërsa shtoi se sa i takon 30 qershorit, ai është nul, edhe sikur në të ardhmen Gjykata Kushtetuese t’ja rrëzojë dekretin e nxjerrë.
“Askush nuk duhet të ketë iluzione se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese, kur të bëhet funksionale mund të japë legjitimetit, 30 qershorit, për arsye se dekretet e Presidentit janë në fuqi, si ai për shfuqizimin e 30 qershorit, edhe ai për zgjedhjet e 13 tetorit. Kushtetuesja është e vetmja që mund të gjykojë për këto dekrete. Çdo vendim Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretet e Presidentit do të ketë efekt për të ardhmen, nuk ka efekt për të shkuarën, të drejta apo të gabuara. Nuk e kthen dot gjykata 30 qershorin si datë në fuqi për zgjedhje. Prandaj, jemi në kushtet e thellimit në paligjshmëri nëse nuk zbatohet dekreti për 13 tetorin”, vijoi Meta.
Presidenti kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisjen sa më shpejt të punës për 13 tetorin. Puna duhej të kishte nisur me ftesën drejtuar partive politike për t’u regjistruar për pjesëmarrje në këtë proces. Afati për partitë që duan të regjistrohen është deri më datë 5 gusht. Thirrja deri më tani nuk është bërë, por për 13 tetorin aleatët e vegjël të Partisë Demokratike kanë shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje, ndërsa Lulzim Basha jo. Kreu i PD-së këmbëngul se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Meta e cilësoi si tekë opozitare këtë kërkesë.

“Unë nuk kam kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit, ashtu siç kërkon opozita që ka ikur nga Parlamenti. Ftoj Ramën që të reflektojë, të mos pengojë zbatimin e dekretit për 13 tetorin. KQZ dhe institucionet e tjera të mos vazhdojnë në paligjshmëri. Ftoj forcat politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, jo ato që nuk duan që të regjistrohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shndërrohen në OJQ. 13 tetori është ditë e pashmangshme kushtetuese dhe ligjore dhe detyrim për t’u zbatuar, duke filluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që duhej të kishte nisur zbatimin e dekretit të Presidentit dhe të ftonte të gjitha forcat politike që kanë dëshirë të marrin pjesë në zgjedhje vendore, jo ato që nuk kanë dëshirë. Kur kam firmosur dekretin e shfuqizimit të 30 qershorit kam deklaruar se nuk jam këtu për të plotësuar tekat e partive opozitare apo qeveritare. Jam këtu për të plotësuar detyrimet e mia ligjore”, deklaroi Meta.
Kreu i shtetit kujtoi akuzat e hedhura nga mazhoranca se me anulimin e 30 qershorit thelloi krizën politike. Ai thotë se sot vendi nuk është në një situatë normale. Nuk e cilësoi normale që në bashkitë të njohura si bastione të djathta PS të qeverisë me 6 për qind të votave. Sipas Metës, kjo do të humbasë llogaridhënien përballë qytetarëve.
“Nuk është legjitime të marrësh Bashkinë e Kavajës me 6 për qind, Kamzës e Shkodrës! Të kesh të gjithë këshillat. Kjo është skandaloze dhe këtu bie totalisht sistemi i llogaridhënies në këtë vend”, shtoi ai.
Nga Qeveria, Edi Rama ka marrë pushimet, ndërsa nga opozita, edhe pse takimet me qytetarët dhe denoncimet ndaj mazhorancës vazhdojnë presin shtatorin, atëherë kur mbyll pushimet Brukseli, nga ku në këto ditë të nxehta, ka mbërritur sinjali se do të mbërrijnë dy delegacione për zgjidhjen e krizës, gjithmonë në shtator.
Një ditë, më parë, Meta postoi në rrjetet sociale një mesazh ku klasën politike shqiptare e krahasoi me një fëmijë, që përpara ka një provim të vështirë tek zysha, që në këtë rast është Europa.

“U ndodh shpesh fëmijëve kur kanë përpara provimin e një lënde që nuk i tërheq fare. Nuk e zënë me dorë librin për një kohë të gjatë dhe vazhdojnë e luajnë duke gënjyer veten se kanë ende kohë para provimit. Por vjen një moment, kur koha nuk punon më për ty dhe kalon në kundërkohë. Atëherë fillon e mendon si të justifikosh dështimin tënd në provimin që ti s’mësove kur duhej. Kuptohet, zakonisht prindërve u thuhet se fajin e kishte Zysha, se ishte e keqe dhe e padrejtë”, shkruan Presidenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje