Kryeministri Edi Rama përjashtoi mundësinë e një pakete të re stimuluese financiare për bizneset për t’u përballur me pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19.
“Nuk mendoj që ka vend më për të diskutuar për dhurata, apo për mbështetje nga taksapaguesit drejtpërdrejtë në formë dhurate, që ishte e dosmodoshme në atë moment kur mbyllja ishte hermetike për kompanitë që kanë akses dhe mund të marrin garancinë sovrane. nuk mund të marrim ndihmën ekonomike dhe të marrim gjysmën e pagave të mjekëve dhe t’ja japim biznesit”, deklaroi Rama.
Kreu i Qeverisë tha se në vend të kësaj, bizneset mund të aplikojnë për kredi duke përfituar nga garancia sovrane që ofron Qeveria, ndërsa nënkuptoi se procesi i rindërtimit nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit do të shërbejë si “ilaç” për të lehtësuar simptomat ekonomike të koronavirusit.
“Duam të ndajmë me ju disa aspekte të ekonomisë që lidhen drejtpërdrejtë me rindërtimin dhe për rindërtimin si proces që përtej faktit që do të rikthejë në shtëpi të gjitha familjet, ka edhe një impakt të padyshimtë ekonomik që i vjen në ndihmë patjetër vendit dhe njerëzve në këtë periudhë kaq të vështirë si rezultat i goditjes në këtë periudhë të vendit nga Covid”, u shpreh Rama.
Por si do të ndikojë procesi i rindërtimit në zbutjen e efekteve të Covid në ekonomi? Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj prezantoi punimet e nisura, projektet e përfunduara dhe projektet në vazhdim deri në 2022, që në total do të marrin rreth 65 miliardë lek, ose rreth 650 milionë euro që do të qarkullojnë në ekonomi përmes këtij procesi.
Kryeministri foli edhe për projektin e amnistisë fiskale, nga e cila tha se Qeveria nuk është tërhequr, por është në diskutime me ndërkombëtarët për këtë. Po, ashtu ai tha edhe se vendimi i qeverisë për kazinotë nuk ka lidhje me rihapjen e tyre, por është vazhdimësi e përfundimit të licencës së “Regency Casino” dhe Qeveria është në pritje të ofertës për dhënien e një licence të vetme në zonat e përcaktuara.
Rama prezanton planin e rindërtimit: 33 mijë të papunë nga pandemia
Rama prezantoi planin ekonomik të rindërtimit. Rama tha se ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, niveli i papunesise në vend gjatë pandemisë ka qenë më i ulti.
“Dua të them se një ditë para tërmetit, projeksionet për ekonominë shqiptare ishin shumë optimiste dhe pozitive. Duke iu referuar shifrave zyrtare dhe institucioneve financiare, papunësia për vitin 2019 sipas Bankës Botërore ishte më e ulëta për rajonin tonë. Pritej të shkonte edhe më poshtë. Borxhi ishte me trajektore rënëse. Gjithçka ndryshoi me tërmetin e parë të 26 nëntorit dhe me tërmetin e dytë të Covid-19.
Masat e marra nga Gjermania, konferenca e donatorëve që na çliroi nga ankthi se do na duhej të spostonim gjithçka duke lënë menjanë çdo investim kanë ndihmuar që sot të mund të themi pa frikë, duke parë edhe rezultatet pasuese të periudhës së hapjes së nëse do kishim kaluar lehtësisht në më shumë se -10 të prodhimit të përgjithshëm, presim të kufizohemi në më pak se 4.5%. Nuk është pak si parandalim. Vetëm gjatë javës së fundit kemi marrë tre masa të tjera për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Sot ne kemi një shifer të saktë, 13 mijë persona ende të pa integruar nga 33 mijë që e humbën vendin e punës si pasojë e karantinës.
Flas për emra të regjistruar. Hyjmë tek vendet që kemi humbur më pak. Jemi sot në kushtet kur numërohen gati 1 milion minus në Rumani, apo në Kosovë 45 mijë. Serbia 200 mijë. Këto nuk janë për të thënë se jemi përballë një mrekullie por se duam të ripunësojmë sa më shpejt ata që ishin në punë . Qëllimi është që në harkun e një viti ta tejkalojmë shkurtin e këtij viti ku në 11% papunësi, kemi arritur nivelin më të ulët të papunësisë që nga vitit 1991. Nuk do ketë më pagë minimale nën 300 mijë lekë të vjetra”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje