Futboll

Liverpuli gati për festën e titullit që sot, tifo për Çelsin në mbrëmje

Katër gola në “Anfield”-in bosh për t’iu afruar edhe më shumë titullit kampion në Premier Ligë. Liverpuli ka mundur 4-0 Kristal Palasin dhe sot në mbrëmje do të jetë tifozi numër 1 i Çelsit, sepse nëse londinezët nuk humbin me Mançester Sitin, atëherë ekipi i Jurgen Klop shpallet kampion i Anglisë për hërë të parë që nga viti 1990.

Për Mançester Sitin, pa sulmuesin Serxho Aguero (i operuar në gjurin e majtë pas dëmtimit të pësuar ndaj Bërnlit), nuk do të jetë e lehtë për të marrë pikët maksimale në “Stamford Bridge”. Çelsi i trajnerit Frenk Lampard duhet të ruajë fort vendin e katërt për të shkuar në Ligën e Kampionëve, pasi tashmë Mançester Junajtid është një kërcënim real.

Salah dhe Mane festojnë një gol ndaj Kristal Palasit. Gazeta Si, 25 qershor 2020

Ndeshja me Kristal Palasin ishte një formalitet për Liverpulin. Pas barazimit pa gola në derbin me Evertonin, skuadra e trajnerit Klop hyri më e vendosur në fushë dhe shfaqi një formë mjaft të mirë. Pas 23 minutash ishte në avantazh me golin e shënuar nga një ekzekutim perfekt i goditjes së dënimit nga Aleksandër-Arnold. Kristal Palasi nuk bëri fare rezistencë. Goli i dytë erdhi pak para pushimit të ndeshjes nga një e majtë e Salah, i shërbyer në zonë nga Fabinjo, i cili trefishoi në pjesën e dytë me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës. Një kundërsulm i shpejtë i Salah dhe Mane solli edhe golin e katërt nga ana e senegalezit. Liverpuli është bërë gati për festën e titullit që sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë