Bota

Liz Truss mendon zhvendosjen e ambasadës britanike nga Tel Avivi në Jeruzalem

Gazeta Si – Kryeministrja e re britanike Liz Truss, po shqyrton lëvizjen e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Një lëvizje që do të përfaqësonte një përmbysje të pozicionit tradicional britanik dhe do ta vendoste qeverinë e Londrës në të njëjtën linjë me Donald Trump, i cili kishte bërë tashmë një hap të ngjashëm në vitin 2018 (dhe që nuk u kundërshtua më vonë nga Biden).

Liz Truss ndau idenë me kryeministrin izraelit Lapid gjatë një takimi që të dy patën në kuadër të samitit ndërkombëtar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Izraeli e ka konsideruar gjithmonë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij, por kjo nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar, aq sa të gjitha ambasadat ndodhen në Tel Aviv (me përjashtim të Guatemalës, Hondurasit dhe Kosovës). Palestinezët gjithashtu e konsiderojnë Jeruzalemin si kryeqytetin e tyre.

Britania ishte një nga 128 vendet që votuan në favor të një rezolute të OKB-së që dënonte vendimin e Trump dhe u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të mos lëvizin ambasadat e tyre.

Prandaj, masa e Truss vjen si befasi dhe ka të ngjarë të përplaset me kundërshtimin e diplomatëve të Ministrisë së Jashtme.

Por kryeministrja britanike ka në mendje një strategji të saktë, e cila nuk ka të bëjë vetëm me Lindjen e Mesme.

Siç ilustroi në fjalimin e saj në OKB, ajo sheh një përplasje globale midis demokracive dhe autokracive, kundër të cilave është e nevojshme të ngrihet një “rrjet i lirisë”, i aftë për të kundërshtuar diktaturën ruse dhe kineze.

Nga ky këndvështrim, Izraeli është një aleat i rëndësishëm: dhe fakti që Londra do të donte të lidhte një marrëveshje tregtare me shtetin hebre gjithashtu luan një rol.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë