Fatjon Rupi – Për të disatën herë, ndoshta për të fundit këtë sezon, Kukësi do të përpiqet të rihapë garën e titullit kampion. Drejtuesit e klubit verior vendosë që Partizanin, rivalin direkt për titull, ta presin në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, që të kuqtë të kenë sa më pak tifozë. Për këtë qëllim kanë shtrenjtuar edhe çmimin e biletës, duke e bërë 10 mijë lekë. Një çështje që ka sjellë edhe kunja në distancë mes palëve. Trajneri Gega u shpreh në konferencë shtypi se edhe në Bangladesh të luhet ndeshja me Kukësin, tifozët e Partizanit nuk do të mungojnë.

Sidoqoftë, vendimtare është ajo çfarë japin lojtarët në fushën e blertë. Partizani vjen në këtë ndeshje me mungesa, ku veçohet ajo e mesfushorit të dëmtuar Bruno Telushi, autor i disa golave me peshë dhe përcaktues në lojën e të kuqve. Trajneri Skënder Gega mund të bëjë të njëjtën lëvizje si në ndeshjet kur mungonte Hila, ku në mesfushë aktivizoi Atandën, por kjo është vetëm një hipotezë, sepse mungon edhe mbrojtësi Lum Rexhepi, i skualifikuar për shkak kartonësh. Edhe sulmuesi Rubin Hebaj është i dëmtuar, ndërsa Duka është në dyshim.
Rikthim i rëndësishëm është ai i Jurgen Bardhit në sulm. Partizani ka avantazhin e diferencës prej 9 pikësh me Kukësin. Kryesuesve do t’u mjaftonte edhe barazimi, ndërsa për veriorët vlen vetëm fitorja për të mbajtur gjallë shpresat e titullit kampion. Në një farë mënyre, një “copëz” e titullit vendoset që sot në “Loro Boriçi”.

Në stolin e Kukësit debuton sot Ramadan Ndreu, i cili mori drejtimin e skuadrës para pak ditësh, duke zënë vendin e Armando Cungut. Edhe Kukësi ka probleme me mungesat për këtë sfidë. Kapiteni Ylli Shameti është i dëmtuar, ndërsa mesfushori Valon Et’hemi i skualifikuar. Një rikthim i madh mund të konsiderohet Besar Musolli, por kuptohet që ai nuk është ende gati të luajë si titullar, pasi vjen nga një mungesë e gjatë për shkak dëmtimi. Stafi teknik mund të ketë të gatshëm edhe mbrojtësin e krahut të majtë, Simo Rrumbullaku. Ndeshja do të gjykohet nga ndërkombëtari Enea Jorgji, siç ka ndodhur shpesh kohët e fundit. Do të jetë një “luftë nervash” dhe në të tilla ndeshje vendosin episodet.

Java e 26-të e kampionatit vazhdon ditën e shtunë me ndeshjet Luftëtari-Skënderbeu, Teuta-Kastrioti dhe Tirana-Laçi. Flamurtari është pushim këtë javë dhe me 3 pikë më shumë në tabelë, pasi duhej të luante me Kamzën sipas kalendarit. Interesante është gara për Kupat e Europës, ku ka pretendime nga disa skuadra, por edhe lufta e mbijetesës mes Luftëtarit dhe Kastriotit. Skënderbeu duket se ka lënë pas krizën dhe në Gjirokastër kërkon vazhdimësinë. Tirana dhe Laçi kanë një sfidë direkte për zonën europiane në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku bardheblutë kanë ndihmën e faktorit fushë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje