Lajme

Lojërat e fatit, procedohen penalisht tre persona

Policia e Shtetit vijon operacionin në të gjithë vendin për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 3 raste, konkretisht në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.
Në Tiranë u procedua penalisht, shtetasi F. R., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e subjektit të tij u gjetën dy tavolina pokeri dhe një valixhe me çipsa.
Në Elbasan u procedua penalisht shtetasi M. A., 26 vjeç, pasi në lokalin e tij u konstatua që ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale iu bllokuan katër aparatura dhe një njësi kompjuterike, të cilat përdoreshin për lojëra fati.
Në Vlorë u procedua penalisht shtetasi R. S., 25 vjeç, pasi në lokalin e tij iu gjetën dy pajisje kompjuterike pa dokumentacion, të cilat shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.
Policia e Shtetit bën me dije se kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet antiligjor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë