Futboll

Lojtarë kundër trajnerit, sherret më të bujshme në futboll

Mund të ishte pjesë e listës edhe Erando Karabeci, kapiteni i Tiranës, nëse do të rebelohej kundër trajnerit Ze Maria, që e ka lënë në stol. Imagjinoni një përleshje mes tyre! Mund të ndodhte, siç u ka ndodhur futbollistëve nga më të njohurit në botë. Zënkat apo sherret e tyre me trajnerët kanë bërë bujë dhe rastet janë të shumta, ku protagonistë negativë kanë qenë lojtarë si Toti, Shirer, Van Basten, Anelka, Baloteli e të tjerë, por edhe trajneri si Mourinjo, Van Gal, Saki, Spaleti etj. Arsyet e sherreve janë nga më të ndryshmet, jo vetëm teknike.

Mourinjo-Pogba

Mourinjo kundër Pol Pogba është rasti më i freskët te Mançester Junajtid. Të dy nuk e durojnë dot njëri-tjetrin. Ai shikim i trajnerit portugez në stërvitje ndaj mesfushorit francez ka bërë xhiron e botës, ndërkohë që zënkat mes tyre janë të shpeshta në dhomat e zhveshjes. Akuza të ndërsjella dhe deklarata thumbuese mediatike. Klubi mbështet trajnerin për momentin dhe Mourinjo, pasi i ka hequr edhe shiritin e kapitenit mesfushorit, e ka bërë të qartë: “o unë, o ai”.

Toti-Spaleti

Prill 2016. Raportet mes Totit dhe Spaletit janë shumë të tendosura dhe në Bergamo shpërthen “bomba”. E ka treguar vetë Françesko Toti në librin e tij. “Kisha fytyrën e Spaletit një centimetër larg simes. Po më priste dhe mua drejtua: ‘Mjaft, na çave dërrasat, pretendon të komandosh, ndërkohë që duhet të ikësh. Po luan shumë keq, e ke mbyllur’. Gjithçka e tha me zë të lartë dhe ishte zënka e fundit mes meje dhe Spaletit. Edhe unë u irritova dhe u deshën katër vetë që të na ndanin, se kushedi si do të shkuar puna”, – tregon Toti.

Toti dhe Spaleti

Ljajiç-Rosi

Askush nuk ia doli të ndante trajnerin Delio Rosi dhe futbollistin serb Adem Ljajiç, sepse gjithçka ndodhi shumë shpejt. Lojtari i zëvendësua dhe debatoi me trajnerin, duke përdorur fjalë, që këtij të fundit nuk i pëlqyen aspak dhe iu vërsul në stol. Rosi e tërhoqi lojtarin e tij nga fanella dhe e goditi dy herë në fytyrë. Për fat ishte stoli që nuk i lejoi të vazhdonin. Më pas trajneri italian u shkarkua nga detyra.

Baloteli-Mançini

Mançester Siti është një nga seritë e telenovelës mes trajnerit Roberto Mançini dhe sulmuesit Mario Baloteli. Në stërvitje “SuperMario” ishte kapur me një shok të skuadrës dhe trajneri i kërkoi të linte fushën. Baloteli nuk pranoi dhe shpërtheu sherri. Trajneri Mançini nuk i mbajti dot nervat dhe e tërhoqi lojtarin e tij nga jeleku përpara skuadrës. Mund të shkonte më keq, por Kid dhe Greguçi i ndanë. Mançini, i tërbuar, e përzuri Balotelin nga qendra stërvitore e  Karringtonit.

Baloteli dhe Mançini

Shirer-Gulit

Rud Gulit shkoi te Njukasëlli pas përvojës te Çelsi, por në kokë kishte një ide të keqe: të mos e vlerësonte aq sa duhet sulmuesin Alan Shirer, “heroin” e qytetit verior të Anglisë. Ai vendosi ta linte në stol për derbin me Sundërlendin. Sulmuesi u nxeh keq dhe në dhomat e zhveshjes debatoi me trajnerin holandez. Ofendime nga të dyja palët, me Gulit që e përcaktoi Shirerin si “lojtarin më të mbivlerësuar të të gjitha kohërave”. “Bomberi” anglez është nxjerrë jashtë dhomave të zhveshjes që situata të mos rëndohej.

Shirer dhe Gulit

Kasano-Stramaçoni

Antonio Kasano mund të shkruajë një libër vetëm me përplasjet që ka pasur me trajnerët, por nuk ka dyshime me cilin i ka pasur punët më keq: Andrea Stramaçonin. Të dy kanë pasur një zënkë, kur ishin tek Interi. Trajneri sinjalizoi përfundimin e stërvitjes dhe legjenda thotë se “Fantantonio” po e tallte, duke e thirrur “Mourinjo”. Kaq mjaftoi dhe të dy u kapën me duar, ndërsa aventura e Kasanos si zikaltër përfundoi aty. Nuk është penduar aspak dhe 5 vite më pas ka thënë se do ta bënte sërish atë gjest.

Antonio Kasano

Van Gal-Toni

Luis van Gal nuk është i njohur vetëm për “aktrimin” e tij. Mjafton të kujtojmë pozën e famshme të tij për të protestuar për një faull që nuk iu akordua Ajaksit. Por te Bajerni i Mynihut holandezi ka thyer çdo rekord. Në një zënkë e sipër me sulmuesin Luka Toni në mensë për një sjellje të gabuar të sulmuesit gjatë ngrënies, Van Gali, i kritikuar nga skuadra, vendosi të dilte nudo në kuptimin e plotë të fjalës, duke treguar pjesët intime për të vërtetuar se i kishte.

Van Gal dhe Toni

Saki-Van Basten

Saki dhe Van Basten, dy emblema të Milanit të madh. Trajneri italian ka qenë maniak në punën e tij, ndërsa sulmuesi holandez donte të stërvitej sa më pak. Van Basten donte të punonte vetëm me topin dhe jo në minindeshje taktike. Dy mënyra të ndryshme të të kuptuarit të futbollit dhe në fund, pas një diskutimi të zgjatur, Saki i ka vënë ultimatumin presidentit Berluskoni: ai ose unë! Vitin e ardhshëm Milani kishte në stol Fabio Kapelon dhe në fushë Van Bastenin.

Van Basten dhe Saki

Ferguson-Bekam

Edhe një Sër mund të nevrikoset. Aleks Ferguson nuk ishte aq i qetë në dhomat e zhveshjes dhe këtë mund të dëshmojë çdokush që është stërvitur prej tij. Ndonjë edhe është plagosur prej tij, siç i ka ndodhur Devid Bekamit, i cili ka parë një këpucë t’i përplaset në fytyrë. Një këpucë e gjuajtur nga trajneri i tij në nxehje e sipër me yllin e tij. Pak muaj më vonë Bekam shkoi në Madrid, sepse “askush nuk është më i rëndësishëm se Mançester Junajtid”.

Devid Bekam

Dy herë Roi Kin

Brajan Klog ka pasur dy rregulla si trajner. I pari: kurrë topi nuk duhet të ngrihet nga bari. I dyti: asnjë kthim topi prapa te portieri, mbi të gjithë nëse rrezikon të pësojë gol. Këtë të fundit Roi Kin e mban mend mirë, sepse në dhomat e zhveshjes i ka kushtuar një grusht në fytyrë nga trajneri i tij. “Kam goditur Roin, por vetëm një herë. Nuk e paskam goditur fort, përderisa e mori veten”, – ka thënë gjithmonë me krenari Klog. Në vitin 2002, Kin u akuzua nga trajneri i Irlandës, Mik Mekkarti, se po shtirej si i dëmtuar. Por duket se gaboi, sepse Kin e sulmoi për 10 minuta trajnerin dhe kjo gjë i kushtoi mungesën në Botëror, sepse nuk u grumbullua.

Roi Kin

Di Kanio-Klark

Paolo Di Kanio nuk ishte një shenjtor në fushë, por zënka e tij më e bujshme është ajo e kohës si trajner. Ish-kapiteni i Lacios drejtonte Suindonin dhe pati një sherr me sulmuesin Leon Klark. Debati nisi në fushë dhe degjeneroi në sherr në tunel. Të dy përshkruan me fjalë të ashpra dhe shtyrje korridorin deri në dhomat e zhveshjes, duke u kapur edhe me duar, por më pas rojet e sigurisë dhe shokët e skuadrës i ndanë.

Klark dhe Di Kanio

Mourinjo-Kasilas

Shën Iker Kasilas, portieri më i dashur për spanjollët, është akuzuar nga trajneri Mourinjo si përgjegjësi kryesor për rrjedhjen e informacionit nga dhomat e zhveshjes së Realit. Duke parë se disa lajme publikoheshin nga Sara Karbonero, Mourinjo nxori konkluzionet e tij dhe më pas kaloi në sulm ndaj portierit. Kasilas u dëmtua dhe humbi vendin e titullarit. Në dhomat e zhveshjes kishte gjithmonë “xixa” dhe “Special One” u largua nga Reali, por edhe portieri nuk doli mirë, pasi pas pak vitesh la edhe ai “Bernabeun”.

Kasilas dhe Mourinjo

Domenek-Anelka

Në Botërorin e 2010-ës, në pushimin e ndeshjes Francë-Meksikë, në dhomat e zhveshjes së francezëve ka pasur një sherr. Trajneri Domenek po kritikonte sulmuesin Anelka, të cilit po i jepte edhe disa udhëzime taktike. Duke parë dyshimet e lojtarit, trajneri e kërcënoi se do ta ndërronte, ndërsa Anelka iu kthye: “Ik pirdhu, bir ku…”. “Ok, atëherë dil”, – ia ktheu Domenek, i cili më pas kishte kundër gjithë skuadrën, që doli nga kompeticioni pa lënë asnjë gjurmë.

Anelka dhe Domenek

Pasarela-Redondo

“Nëse e shoh në rrugë, ndryshoj drejtim”, – ka thënë Fernando Redondo për Daniel Pasarelën, trajnerin e Argjentinës në vitet ’90. Të dy nuk duan ta shohin njëri-tjetrin për një arsye shumë të veçantë. Ish-mbrojtësi, dy herë kampion bote, kishte një teori të vetën: flokët e gjatë janë të rrezikshëm, sepse në ndeshje lojtarët shpërqendrohen prej tyre. Pasarela kërkoi që lojtarët e tij t’i prisnin flokët, por Redondo as që ë mendonte këtë gjë dhe bëri sherr me trajnerin edhe për pozicionin e tij në fushë. Për këtë arsye humbi Botërorin e 1998-ës.

Redondo dhe Pasarela

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë