Për bashkinë e Vaut të Dejës në zgjedhjet e 14 majit, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha “sakrifikoi” një deputet mbështetës të tij, Zef Hila.
Kjo është një nga bashkitë ku PD-ja synon ta rimarrë duke dalë hera herës me deklarata për shtyp që denoncojnë punën e kësaj bashkie.
Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo ka denoncuar se, “administratorët e Ndihmës Ekonomike të Bashkisë Vau Dejës, kanë nisur largimin e familjeve në nevojë nga skema ekonomike, duke i zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste”.
“Partia Demokratike e denoncon me forcë këtë veprim kriminal në prag të festave të fund vitit. Kështu, dhjetëra familjeve do t’u duhet të kalojnë natën e ndërrimit të viteve edhe pa atë lëmoshë që u jepte shteti deri dje.
Ky abuzim bëhet edhe më i rëndë nga fakti, se ndihma ekonomike u hiqet nevojtarëve për tu kaluar militantëve të Rilindjes, kalon nga duart e shtrira të të varfërve te duart e gjata të patronazhistëve.
Persona antinjerëzorë e antishqiptarë disa prej te cilëve prej vitesh jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Ky shpërblim u bëhet nga partia sepse janë pjesë e grupeve të manipulimit të votës, mercenarë që po përgatisin skemat e vjedhjes së zgjedhjeve më 14 Maj.
Kjo skemë është një kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë, të cilët duhet të dënojnë personat përgjegjës të këtij abuzimi me ndihmën ekonomike për Bashkinë Vau Dejës, duke filluar nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social në Shkodër, të cilët duhet të kontrollojnë çdo familje që përfiton ndihmë ekonomike.
Kjo është një skemë e paramenduar me qëllime të patronazhimit politik”, tha Garo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje