Së shpejti nis një aventurë e re jashtë Shqipërisë për Lorenc Trashin, një nga titullarët më të rëndësishëm të Partizanit dhe një nga lojtarët më të mirë të Superiores sezonet e fundit. Partizani ka arritur marrëveshjen për transferimin e Trashit në Kuvajt, tek ekip Al Qadsia Sporting, që është klubi më i titulluar në këtë vend. Mesfushori largohet pas 6 sezonesh me fanellën e kuqe.
Detaji i vetëm i zbuluar nga klubi i kuq në njoftimin e për shitjen e Trashit është se lojtari ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare. Nuk zbulohet asnjë term financiar, as sa do të fitojë Partizani dhe as sa do të fitojë lojtari nga kontrata e re. Mesfushori 28-vjeçar, që luan edhe si mbrojtës i majtë, pjesë e Kombëtares shqiptare, do të luajë për herë të parë në një kampionat të huaj. Trashi është rritur te Gramshi dhe përveç Partizanit, ka luajtur një sezon edhe me Lushnjën. Superiorja do të humbë një nga elementët e saj më të mirë.

Njoftimi i klubit të kuq
“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes të transferimit me titull definitiv të Lorenc Trashit në ekipin Al Qadsia Sporting Club të Kuvajtit. Për shkak të kufizimeve të lëvizjeve drejt Kuvajtit, situatë e krijuar nga COVID-19, Lorenc Trashi pritet t’i bashkohet ekipit 16 herë kampion të Kuvajtit sapo këto kufizime do të hiqen. Titullari i kuq, pasi të kryejë vizitat mjekësore, do të bashkohet me klubin Al Qadsia, me të cilin ka nënshkruar një kontrate 5-vjeçare.
Mesfushori 28-vjeçar, kampion i Shqipërisë dhe fitues i Superkupës me Partizanin, do të jetë në dispozicion të skuadrës edhe për disa ndeshje për këtë sezon, për të vijuar më pas aventurën në Kuvajt. Pas 6 vitesh me të kuqtë, ku dhuroi performanca shumë pozitive, duke qenë njëkohësisht edhe pjesë e ekipit tonë përfaqësues, Trashi tashmë do të provoj edhe eksperiencën e parë jashtë vendit. Partizani e falënderon Lorenc Trashin për kontributin e dhënë gjatë gjithë këtyre viteve me fanellën e kuqe dhe i uron shumë suksese”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje