Në 12 minuta deklarim për mediat, LSI, me zë e figurë përmes, Luan Ramës, ka intensifikuar kritikat ndaj qeverisë “Rama” duke arritur në konkluzionin se kjo “kastë” qeverisëse duhet larguar.
Teksa publikoi të dhënat e Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogërave, Luan Rama nënvizoi në fund të shpjegimit të tij se këtu nuk është më fjala për çështje listash të hapura apo të mbyllura, por për largimin e kësaj qeverisjeje.
“Në kushtet normale do të duhej që Shqipëria sot të ishte në një realitet tjetër, të kishte çelur negociatat me BE, të ishte duke punuar bashkë me partnerët tanë të BE në përmbushje të të gjitha kapitujve që përbëjnë korpusin e detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të integrimit të BE.
Nga ana tjetër do të duhej që sistemi të funksiononte si në çdo vend tjetër normal dhe demokratik në Europë përmes zbatimit të ligjit, përmes funksionimit të organeve të sistemit të drejtësisë dhe natyrisht edhe përmes procesit të dialogut politik si një faktor i rëndësishëm që dëshmon për maturinë dhe cilësisë së pjekurisë së demokracisë në një vend.
Mirëpo për fat të keq Shqipëria nuk është kjo. Edhe nga raportet më të fundit vijnë konstatime, qëndrime dhe përfundime alarmante që në fakt do të duhej të kishin ngritur në këmbë sot të gjitha autoritetet shtetërore të vendit”, tha Luan Rama në fillim të konferencës.
“Sot është bërë i njohur raporti më i fundit i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogërave. Një organizëm që funksionon në kuadër të BE. Në këtë raport që dëshmon më së miri se qeveria shqiptare jo vetëm që nuk e ka prioritet kombëtar integrimin europian, por po punon kundër procesit të integrimit, nënvizohen disa të vërteta të dhimbshme që janë akuzë e drejtpërdrejtë e qeverisë ndaj kryeministrit dhe akuzë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi.
Më konkretisht në këtë raport, pra që është raporti i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogërave, theksohet se: Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me politikën dhe politika ndërhyn duke neutralizuar zbatimin e ligjit përmes emërimit të personave të besuar ose militantëve të partisë.
Kjo nuk është një e vërtetë e artikuluar për herë të parë. Jo vetëm opozita, por edhe media e lirë, media e pavarur, por edhe institucione të tjera, organizma ndërkombëtare që monitorojnë proceset në Shqipëri, e kanë theksuar. Por e ardhur nga Qendra e Specializuar Europiane për Monitorimin e Drogërave, në vigjilje të vlerësimit të asaj se çfarë po bën Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit europian, padyshim është jo vetëm akuzë, por një denoncim i rëndë i situatës në vend.
Më tej raporti vazhdon: Forma më e njohur e bashkëpunimit midis organizatave kriminale dhe organeve shtetërore është korrupsioni, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, thotë raporti i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogërave.
Kjo do të thotë që e gjitha ajo që është proklamuar si arritje, si sukses apo si një fitore e madhe me Reformën në Drejtësi nuk është gjë tjetër veçse një flluskë sapuni apo një tullumbace propagandistike për tu mbajtur në ajër për një gjë që në realitet është e pavërtetë sepse korrupsioni më i madh vazhdon të shfaqet veçanërisht në sistemin e drejtësisë, thotë raporti”, citoi Rama.
Ndërkaq më tej i njëjti raport vazhdon: “Organizatat e drogës i shërbejnë politikës në Shqipëri, duke zhvatur bizneset përmes gjobave, mbështetjes së kandidatëve në zgjedhje ose frikësimit të kundërshtarëve politik, shkatërrimin e opozitës, prishjen e tubimeve partiake, manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe financimin e fushatave elektorale në shkëmbim të imunitetit nga ndjekja penale”.
“Pra e gjitha kjo që thekson raporti nuk është gjë tjetër, por është një skaner, një skaner real dhe i detajuar i situatës kriminale, të korrupsionit dhe bashkëveprimit të qeverisë me krimin në funksion të asaj që në fakt e ka bërë Shqipërinë që të jetë një Narkoshtet, një shtet kriminal dhe një shtet që punon kundër interesave të qytetarëve të vet. Natyrisht kjo e ka një arsye dhe arsyeja vjen nga filozofia dhe politika qeverisëse e mazhorancës së krimit që aktualisht sot është në pushtet. Jo vetëm 7 vjet më parë në 2013, por edhe në 2017 kur timoni, tepsia, tenxherja dhe kusia vajtën të tëra në duart e xhahilëve të pushtetit, por ditë pas ditë me gjithë veprimin e vet qeveria ka punuar dhe vazhdon të punojë për të arritur të tilla rekorde kriminale…”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje