Slogani i ri që trazon Partinë Demokratike dhe shqetëson Shtëpinë e Bardhë, është “Palestinian lives matter” (Palestinezët kanë rëndësi).
Citati, prej ditësh është shfaqur në rrjetet sociale dhe është kthyer në temën kryesore në debatin politik amerikan, që të enjten e 13 majit.
Në sallën e Dhomës, praktikisht të shkretë, njëri pas tjetrit, katër deputetët e së majtës demokrate, e ashtuquajtura “skuadra”, u rreshtuan në krah të “të drejtave të popullit palestinez”. Ndërhyrje të shënuara nga emocionet, kujtimet personale dhe një qasje që bie në kontrast me linjën e administrimit.
Fjalët më të përdorura nga media, janë ato të Alexandria Ocasio-Cortez: “Pse qeveria jonë nuk po bën asgjë për të mbrojtur palestinezët e burgosur, të dëbuar nga tokat e tyre? Mbase, sepse është një situatë që na kujton se çfarë po bëjmë ne amerikanët me emigrantët në kufirin meksikan? Thuhet se Izraeli ka të drejtë të mbrojë vetveten. Por a kanë të drejtë palestinezët të jetojnë?”.
Rachida Tlaib, një deputete nga Miçigani, me origjinë palestineze, paraqiti veten me një kefiah bardh e zi në shpatullat e saj dhe foli për “aparteidin izraelit”. Ilhan Omar, i Minesotës, me origjinë somaleze, mysliman, tha se Izraeli “vepron ilegalisht”. Më në fund Ayanna Pressley, e Masaçusetsit, i lidhi “protestat në Jeruzalem” me ato të “Black lives matter”.
Askush nga katër deputetët nuk ka përmendur kurrë Hamasin dhe raketat në qytetet e Izraelit. Por do të ishte gabim të hiqeshin këto pozicione si margjinale. Kritika dhe dyshimet po përhapen me shpejtësi në Partinë Demokratike.
Ato fillojnë nga e majta dhe ngjiten në qendrën e moderuar. Fjalimi i Bernie Sanders në gazetën “New York Times”, shkaktoi shumë diskutime. Senatori i Vermontit, udhëheqësi i krahut radikal, ndryshe nga “skuadra”, njeh, siç ka bërë gjithmonë, “nevojën për të garantuar mbrojtjen e Izraelit”.
Ai gjithashtu, vëren se “nuk ka asnjë justifikim për raketat e lëshuara nga Hamasi”. Menjëherë më pas, megjithatë, ai vë në pikëpyetje përgjegjësitë e kryeministrit Benjamin Netanjahu.
“Konflikti nuk filloi për shkak të sulmeve të Hamasit. Familjet palestineze kanë jetuar për vite me radhë nën kërcënimin e dëbimit nga lagja ‘Sheikh Jarrah’ e Jeruzalemit Lindor. Ne kemi parë qeverinë Netanjahu të margjinalizojë dhe demonizojë qytetarët palestinezë të Izraelit”.
Më në fund, Sanders prek çështjen më delikate: Joe Biden nuk mund të jetë bashkëpunëtor i “Bibit” (Benjamin Netanjahu), siç ishte Donald Trump për katër vjet. Të jesh aleat i Izraelit, nuk mund të nënkuptojë miratimin e “brutalitetit” të qeverisë izraelite.
Që nga 21 prilli, 328 deputetë, nga një total prej 438, kishin nënshkruar një dokument dypartiak për të angazhuar Kongresin për të alokuar 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin.
Por tani, dhjetëra prej tyre po i kërkojnë presidentit amerikan të distancohet nga “metodat e Netanjahut”. Ato janë figura me më pak shikueshmëri se yjet e së majtës, por që kanë një peshë specifike shumë më të lartë në proceset legjislative.
Disa emra: Betty McCollum, 66 vjeçe, nga Minesota, në Kongres që nga viti 2001, kryetare e nënkomitetit të mbrojtjes; David Price, 80 vjeç, në Parlament që nga viti 1985 për Karolinën e Veriut; John Yarmuth, 73 vjeç, nga Kentucky, një pikë referimi për komunitetin hebre, kryetar i komitetit vendimtar të buxhetit në Dhomë.
Ditët e fundit ai shkroi në Twitter: “Unë e dënoj Netanjahun, sepse ai ka të drejtë të mbrojë vendin, por jo të vrasë me vetëdije civilë të pafajshëm”.
Përshtati në shqip: “Gazeta Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje