Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i shoqëruar nga nënkryetarët Enkeled Alibeaj dhe Jorida Tabaku zhvilluan një konferencë për shtyp ku qëndruan gjatë për mediat lidhur me atë çka PD-ja ka bërë në raport me denoncimet për inceneratorin e Elbasanit, për të cilin të martën SPAK-u, Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, ka arrestuar Lefter Kokën, disa bashkëpunëtorë dhe janë shpallur në kërkim disa të tjerë.
“…Me shumicën dërrmuese prej jush, sepse disa kolegë mund të kenë dyshuar, kemi qenë këtu, në këtë sallë, për 3 javë rresht duke denoncuar aferën kriminale të inceneratorëve. Nuk jemi mjaftuar me kaq, jemi drejtuar prej kohësh me thirrje dhe së fundmi edhe me hapat ligjor SPAK-ut.
Edhe një herë dua ta them, njësoj siç është i rëndësishëm dekriminalizimi për këputjen e lidhjeve të krimit me politikën, njësoj është e rëndësishme lufta kundër korrupsionit për mirëqenien e shqiptarëve. Pa rezultatet konkrete në këtë luftë, asgjë nuk mund të ndryshojë. Pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë të të korruptuarve që vjedhin taksat e shqiptarëve, asgjë nuk mund të ndryshojë. Ndaj për Partinë Demokratike dhe për mua si kryetari i saj, misioni numër 1 është lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit…”, tha në fillim të konferencës Basha.
Ai kërkoi nga SPAK që të thellojë hetimet në këtë drejtim. Basha u shpreh i bindur se do të denoncojë afera të ngjashme edhe në të ardhmen, duke theksuar se: “Nuk ka Zot në qiell që komplekson Lulzim Bashës, sot jo”.
Kryetari i demokratëve nënvizoi sërish se e rëndësishme është vettingu i politikanëve.
Mbi të gjitha ai përcolli mesazhin se PD do të mbështesë pa kushte drejtësinë në luftën kundër korrupsionit.
Më shkoqur foli Basha kur tha se, PD mbështet një luftë pa kompromis dhe pa ngjyra politike kundër korrupsionit deri në nivele të larta.
“Vettingu i politikanëve, është në fakt vetëm një mjet për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet me krimin. Shembull i përpjekjeve tona më serioze. Pse e kemi kërkuar Vettingun e politikanëve? Pikërisht për ta bërë më të lehtë transparencën dhe për t’ia bërë edhe më të lehtë SPAK-ut të bëjë punën e tij. Sepse politikanët dhe pushtetarët që kanë vjedhur dhe vjedhin shqiptarët, përmes Vettingut të politikanëve, dalin haptas si të tillë, si hajdut dhe përvetësues të fondeve publike, pra të fondeve të shqiptarëve. Pra, në këtë kuadër, siç e thash dhe dje, përshëndes dhe mbështes drejtësinë në të gjitha veprimet kundër këtij armiku të mirëqenies të shqiptarëve. Partia Demokratike e mbështet pa kushte drejtësinë në luftën kundër këtij armiku të çdo shqiptari, që është korrupsioni”.
Por në cilat sektorë ka pasur më shumë korrupsion gjatë qeverisjes së PD dhe a do dorëzojë Basha në SPAK padi edhe për këto çështje?
“Kam thënë fare qartë që padiskutim ish qeveria e PD, ish qeverisja e PD ka pasur korrupsion dhe ne jemi të vendosur ta luftojmë atë për të ecur përpara për të ardhmen e Shqipërisë, e ta luftojmë atë do të thotë ta luftojmë brenda partisë sonë, pra ta lëmë pas atë pjesë të hidhur të historisë sonë.
Se ne kemi gjëra që na turpërojnë e për ato duhet të mbajmë përgjegjësi e të ndahemi nga kjo pjesë e keqe e historisë sonë.
Disa prej atyre aferave janë bërë publike, pothuajse aspak është kallëzuar nga Rama 8 vjet kryeministër se disa prej protagonistëve të këtyre aferave nuk i ke më në PD i ka thithur si lubi e disa i ka bërë aleatë politik disa i ka përdorur për interesa politike disa i ka futur edhe në strukturat e tij. Pse? Sepse ndajnë të njëjtat vese”, u përgjigj Basha.
Edhe pse u pyet disa herë për mediat, se a është edhe Berisha i korruptuar, Basha i dredhoi përgjigjes duke i kërkuar medias që të fokusohej tek kauza e inceneratorëve. Qëndrimet për këtë çështje do t’i jepte në një tjetër konference apo intervista për mediat. Basha u shpreh gjithashtu se, ai por edhe institucione të tjera të sigurisë kombëtare, mes tyre edhe SHISH kanë informacione konkrete për presione që u bëhen prokurorëve të SPAK-ut, por nuk specifikoi se për çfarë konkretisht.
Basha sqaroi gjithashtu se rasti i Lefter Kokës nuk është thjesht një ‘kokë turku’, por është ministër i qeverisë Rama.
“Por, siç e thashë dje Lefter Koka nuk mund të bënte 17 vendime brenda ditës.
Lefter Koka nuk mund të mblidhte të gjithë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën tek skena e krimit që ka sekuestruar prokuroria që është landfilli dhe inceneratori i Elbasanit. E mbani mend apo jo? Së katërti, edhe ish-qeverisja e Partisë Demokratike ka pasur korrupsion. Jemi të vendosur ta luftojmë edhe atë për të ecur drejt të ardhmes që meritojnë dhe duan shqiptarët. Nuk mund të ketë ndryshim për shqiptarët pa pasur një luftë pa kompromis dhe pa ngjyra politike kundër korrupsionit në nivele të larta”, tha ai.
Më tej Basha theksoi: “Ajo që dua t’ju them të gjithë shqiptarëve është që ne jemi të vendosur të ecim përpara, të shkëputemi nga pjesa e keqe e të kaluarës tonë dhe të zgjedhim të ardhmen që vetëm Partia Demokratike, që vetëm ne mund ta sjellim dhe ta garantojmë për shqiptarët, një të ardhme ndryshe, një të ardhme ndëshkueshmëri dhe jo me mbrojtje të politikanëve që përvetësojnë fondet e qytetarëve më të vjedhur e për rezultat më të varfër të Europës”.
Kryetari i PD u shpreh gjithashtu se, motoja e Kuvendit të 18 dhjetorit do të jetë; “Zgjedhim të ardhmen”, “për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar, mentalitetit komunist, si dhe për t’i fikur dritat karuselit që vërtitet për 30-vjet në politikë dhe që vjedh pronat dhe pasuritë e shqiptarëve”.
“Më 18 dhjetor, do të jeni të pranishëm në kushte transparence krejt ndryshe nga çdo orvatje të organizimit që bëhet për halle personale, se si demokratët mblidhen dhe zgjedhin të ardhmen. Të çliruar nga dualizmi, e të vetëdijshëm për të mos përsëritur më gabimet e së shkuarës që i kanë kushtuar shqiptarëve dhe demokracisë. Ne do të zgjedhim të ardhmen, ky është parakusht për të ecur me shqiptarët drejt rrugës së zhvillimit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje