Politike

Lufta në Ukrainë, Meta takon ambasadorin Shkurov: Jemi në një linjë me BE

Gazeta Si – Në një kohë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, ka hyrë në ditën e saj të pestë, presidenti Ilir Meta ka shkuar këtë të hënë për një takim zyrtar në ambasadën ukrainase në Tiranë.

Pas takimit me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Meta tha se qëndrimi i Shqipërisë është e do të jetë i qartë, në linjë të plotë me atë të BE e NATO. Me qëndresën e fortë që po bëjnë ukrainasit, Meta tha se po mbrojnë vlerat më të mira Evropiane.

“Sot Ukraina po jep shembull frymëzues për të mbrojtur veten por edhe vlerat më të mira Evropiane ndaj jemi në krah të Ukrainës dhe të presidentit Zelenski. Jemi për të shprehur edhe njëherë tjetër ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e pafajshme dhe të gjithë të lënduarit nga ky agresion i pabesë dhe i pajustifikuar”.

Sipas tij, Shqipëria, do të vazhdojë të jetë në krah të Ukrainës dhe do të “marrim përgjegjësitë trona dhe ndajmë peshën e solidaritetit me të gjithë vendet e BE-së dhe me të ghithë vendet demokratike e të përgjegjshme të botës”, tha Meta.

Ambasadori i Ukrainës tha se ka ndjerë mbështetjen e presidentit Meta edhe para sulmit por dhe “pas nisjes së luftës, zoti Presidenti ka qenë ndër të parët që ka shprehur mbështetjen për Ukrainën. Gjatë takimit pata mundësi ti shprehja falënderimet e presidentit Volodimir Zelenski, por dhe të popullit të Ukrainës” .

Shqipëria ka shprehur solidaritetin me Ukrainën duke marrë dhe sanksione ndaj Rusisë.

Hapësira ajrore shqiptare do të jetë e mbyllur për Rusinë. Ndërkohë sanksionet e tjera të vënë nga shteti shqiptar për Rusinë prekin 654 individë dhe 42 subjekte.

Gjithashtu Shqipëria i është bashkuar sanksioneve individuale për ngrirjen e aseteve te individëve që shkojnë që nga Presidentit rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë