Skënderbeu dhe Vllaznia dy skuadrat finaliste të Kupës së Shqipërisë. Sigurisht, befasia e gjysmëfinaleve është fitorja e Skënderbeut në Durrës, madje korçarët luajtën me 10 vetë për një pjesë loje, kurse shkodranët kanë eliminuar Laçin pas fitores 1-0.
Skënderbeu e ka nisur ndeshjen në ”Niko Dovana” ashtu siç do donte. Pas 24 sekondash korçarët fituan një penallti, të cilën kapiteni Meksi e ktheu në gol. Në fundin e pjesës së parë, Berisha u dha goditjen e dytë durrsakëve, por teksa festonte golin, duke hequr fanellën, ai mori kartonin e dytë të verdhë dhe e la skuadrën e tij me 10 vetë.
Megjithatë, Skënderbeu ia doli të ruante rezultatin edhe në inferioritet numerik. Djemtë e trajnerit Edi Martini vuajtën nervozizmin dhe pas këtij rezultati ata do të përqendrohen më shumë te kampionati. Në fundjavë Skënderbeu dhe Teuta do të përplasen sërish mes tyre, këtë herë në kampionat dhe në Korçë.
Ardit Hoxhaj i dha fitoren dhe kualifikimin Vllaznisë në “Loro Boriçi” ndaj Laçit. Ai realizoi me kokë golin e vetëm të ndeshjes, pas krosimit nga një goditje këndi. Shkodranët patën edhe një mundësi shumë të mirë ta mbyllnin ndeshjen që në pjesën e parë me brazilianin Da Silva, por ai nuk mundi të dërgonte topin në portën e boshatisur. Në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve të dy skuadrave, rezultati nuk ndryshoi.
Pas fundit të ndeshjes pati edhe një tension mes dy ekipeve. Obanor i miqve ka humbur kontrollin dhe ka goditur me shkelm Herald Markun e Vllaznisë, duke u ndëshkuar me karton të kuq nga arbitri.
Në këto dy ndeshje të para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë bie në sy numri i lartë i kartonëve, 25 në total. Enea Jorgji ka dhënë 11 kartonë në ndeshjen Teuta-Skënderbeu, 7 për korçarët (1 nga të cilët i kuq) dhe 4 për durrsakët. Në ndeshjen tjetër, Vllaznia- Laçi, Juxhin Xhaja, edhe ky ndërkombëtar, ka akorduar 13 kartonë të verdhë dhe 1 të kuq, 8 për shkodranët dhe 6 për laçianët.
Kupa e Shqipërisë, gjysmëfinalet
Sot, ora 16:00
Teuta-Skënderbeu 0-2
Vllaznia-Laçi 1-0
Finalja
Skënderbeu-Vllaznia
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje