Futboll

Luhet në ligat inferiore në Ukrainë, mafia e basteve bën namin

Një problemi i shtohet një tjetër problem. Me botën në luftë ndaj koronavirusit, futbolli është pezulluar praktikisht kudo. Luhet vetëm në Nikaragua, Burundi dhe në Bjellorusi. Një situatë, që paradoksalisht favorizon mafien e basteve për të trukuar ndeshjet.

Në Ukrainë, për shembull, po luhen ndeshje të kategorive inferiore dhe disa prej tyre, ashtu si disa ndeshje në Rusi, kanë përfunduar në lupën e zmadhimit. Françesko Baranka, shefi i etikës në Federatën Ukrainase, ka dhënë alarmin për gazetën gjermane “Welt”: “Manipulimet në këtë moment janë gjiganteske, nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, – ka thënë ai. Federata Ukrainase e Futbollit është në kontakt me hetuesit në Kiev dhe po përgatit një denoncim.

Dyshimet më të mëdha janë për ndeshjen mes FC Berdyansk dhe SC Tavriya, dy skuadra të ligave të ulëta. Ndeshja ishte 0-0 afër fundit të pjesës së parë dhe përfundoi 1-5. “Shumë agjenci bastesh më kanë thënë se janë vënë baste pikërisht për këtë rezultat, – shpjegon Baranka –. Kemi kontaktuar dy klubet, por presidentët e tyre më kanë garantuar se nuk dinë asgjë”.

Në Facebook rezulton se FC Berdyansk ka një faqe zyrtare prej 21 marsit, pak ditë para ndeshjes së parë dhe të gjitha postimet kanë lidhje me atë 90-minutësh. Në një moment konfuzioni total, me lojtarët që nuk e dinë ende për çfarë pagese do të luajnë dhe kur do të rinisin kampionatet, për mafien e basteve që kontrollon ecurinë e ndeshjeve, është edhe më e lehtë. Federata Ukrainase ka informuar UEFA-n për dyshimet, por deri tani nuk ka pasur asnjë qëndrim prej saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë