Luis Hamilton është zgjedhur nga prestigjiozja italiane “Gazzetta dello Sport” personazhi i vitit 2018. Piloti anglez ka treguar 10 momentet më të rëndësishme të këtij viti, që i kanë dhuruar titullin e 5-të kampion bote. Një vit i jashtëzakonshëm për Hamilton, i cili ka folur pa doreza: nga Silverstone te shakaja me Uill Smith në Abu Dhabi, gara e veçantë në Hokenhaim dhe respekti për Fetel.
1 Të bashkuar për fitore — Jemi në Melburn, testet kanë përfunduar dhe nis sulmi për sezonin e ri. Unë dhe Valeri nuk mund të fitojmë vetëm, por si shokë skuadre. Eshtë një raport i rëndësishëm: mes nesh ka respekt dhe kalojmë shumë kohë për ta kultivuar atë. Kisha punuar mendërisht në dimër për t’u përmirësuar. “Pole position” atje, me atë xhiro mega, më bëri të kaloj në një nivel tjetër.
2 Dashuria për Shangain — Shangai është një nga vendet, ku dua të shkoj gjatë vitit. Para së gjithash, për tifozët. Është një vend, ku mbushesh plot me emocion që kur shkon dhe deri kur largohesh. Nuk e di se ia bëjnë për të ditur orën dhe ditën, ndoshta kanë agjentë sekretë, por i gjen menjëherë në aeroport dhe të japin një mirëseardhje të ngrohtë. E njëjta gjë ndodh edhe në hotel dhe kalon fundjava. Të mbushin me energji dhe kjo më kënaq. Nga 2007-a është e e njëjta gjë. Këtë herë bëmë një surprizë për fansat, shkuam në qytet.
3 Në Silverstone mes fansave — Tifozët britanikë më kanë dashur shumë që në fillim dhe bashkë kemi bërë një udhëtim special. Në Silverstone Mercedesi më lejoi të bëja një xhiro në kamping pas provave. Ndalova me njerëzve, të cilëve u jam mirënjohës, që e duan Formulën 1. Ata shtojnë sigurinë e pilotëve, ndalova të bisedoj me ta, nuk e prisnin. Ishte një moment shumë i bukur.
4 Goli i Anglisë — Ishte një ditë e madhe. Nuk e kujtoj çfarë ndeshje e Botërorit ishte, por ishte momenti që kam festuar më shumë duke parë Anglinë. Ishte e mrekullueshme, teksa po shikoja djemtë tanë të rinj të luanin aq bukur. Pas provave ishim të gjithë të shpërqendruar nga ndeshja, sapo ishte shënuar një gol. Angela ishte më këmbë dhe festonte më shumë se të gjithë, edhe pse është nga Zelanda e Re. Riki, që është italian, vazhdoi punën në kompjuter… Të gjithë ulërinin, buzëqeshnin edhe ata që nuk e bëjnë kurrë këtë gjë. Për mua ishte krenari e madhe.
5 Respekti për Fetel — Seba një ditë më tha: “Nuk flasim shpesh”. Kurse një dite më dërgoi një mesazh”: “A do të doje ta ndërroje kaskën?”. Për ne është një objekt special, i çmuar, nuk është njësoj sikur ndërron fanellën pas një ndeshje futbolli. Më ka ndodhur vetëm me 2-3 pilotë, me Shumin për shembull. Ishte një moment privilegji. Ai është një pilot i pabesueshëm, një njeri i madh. Është një formë respekti dhe mirënjohje pas shumë betejash. Ai e di shumë mirë sa e vështirë është të fitosh, të bësh atë që bëjmë.

6 Me Mercedesin përtej limiteve — Sa e bukur është kjo makinë: ngjyra, forma dhe mënyra si ecën në pistë. Nuk e di çfarë imagjinojnë njerëzit kur e shohin, nëse dikush mendon për pjesët që përbëjnë këtë makinë… Për mua është ndjenja më e bukur e mundshme. Te Mercedesi jemi fitues, të suksesshëm dhe vazhdojmë bashkë në progresion natyral. Pse të ndahemi? Në këto vite e kam çuar skuadrën aty ku nuk e mendoja se do të arrinte.
7 Shumë dobët në prova — Jemi në Hokenhaim, për “pole position”. Që në fillim shkoi keq. U përplasa dhe makina u dëmtua. Nga bokset më komunikuan që të ndaloja dhe të mos vazhdoja xhiron për të evituar probleme të tjera më të mëdha. Isha i stresuar, sepse Ferrari po ikte përpara në kampionat. E dija se Fetel do të zinte vendin e parë në “Pole Position” dhe kështu ndodhi. Mendova se nëse nuk do të kisha dalë nga rruga, do të isha në rreshtin e parë. Nuk më kanë pëlqyer kurrë gjërat e lehta.
8 Dita tjetër — nata ka kaluar, ditën tjetër u ktheva në pistë, duke u lutur që gjithçka të shkonte mirë. “Më lejo të bëj më të mirën”, – i thosha vetes. Filloi shiu dhe Sebastiani bëri një gabim, e dinte se unë po rikuperoja dhe krejt papritur e pashë veten në krye të garës, bëra gjithçka deri në frymën e fundit. Pastaj qielli u hap dhe ishte një ditë magjike për mua.
9 Pesë tituj — të fitosh Botërorin, është diçka speciale, por çdo herë është e veçantë. Nuk bëra asnjë llogari, vendosa të festoj në atë moment si të më vinte. Në Meksikë, si në 2017-ën, ishte një garë e tmerrshme, me telashe me gomat, por u përqendrova në atë çfarë duhej të bëja. Ëndërroja të fitoja 5 tituj. Erdha te Mercedesi 6 vite më parë dhe doja të fitoja një titull, tani kam 4 më shumë. I pari ishte shumë i bukur, i dyti jo keq, pastaj me radhë. Në titullin e 5-të tregon forcë. Ishte viti më i mirë i karrierës sime.
10 Shakaja me Uill Smith — Uill Smithin e kam njohur në ditëlindjen e Mandelës në Londër, në vitin 2008. U bëmë miq dhe ai më flet si vëllanë e vogël. E dija që do të vinte në Abu Dhabi. Pak para garës erdhi në dhomën time, duke xhiruar një video me një rrëmbim fals. Dukej bukur me uniformën e Mercedesit dhe shkoi në bokse në vendin tim: “Nuk do më njohin, ti je i zi, edhe unë jam i zi, nuk bën dallim”, – më tha. Është i madh princi i Bel Air, nuk e mendoja kurrë se do ta takoja. Ishte një nga momentet më të këndshme të jetës sime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje